//Në UT i zhvillon punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore, Shëndetësore dhe Teknologjisë

Në UT i zhvillon punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore, Shëndetësore dhe Teknologjisë

2019-05-20T10:32:12+00:00 Maj 16, 2019|
Në Universitetin e Tetovës, në prani të shumë studiuesve shkencorë nga vendi, rajoni dhe bota, i filloi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Shkencave Natyrore, Shëndetësore dhe Teknologjisë. Në kuadër të këtij kongresi, prej 15 – 17 maj 2019, do t’i zhvillojnë punimet pesë konferenca shkencore ndërkombëtare të organizuara nga pesë njësi të ndryshme akademike të Universitetit tonë.
Fakultetit i Kulturës Fizike, në kuadër të këtij kongresi organizon konferencën shkencore ndërkombëtare të 6-të me radhë; Fakulteti i Shkencave të Zbatuara do të mbajë konferencën e pestë shkencore ndërkombëtare; Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë realizon konferencën e katërt shkencore ndërkombëtare; Fakulteti Shkencave Matematike – Natyrore zhvillon konferencën e 3-të ndërkombëtare dhe Fakultetit i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit e organizon konferencën e parë shkencore ndërkombëtare.
Në hapjen zyrtare të punimeve të këtij kongresi, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti u shpreh se ky kongres ofron një mundësi të vlefshme për të gjithë ekspertët e fushave përkatëse, që mes vete të diskutojnë dhe të analizojnë përvojat, hulumtimet dhe prurjet e reja shkencore. “Sot, të gjithë së bashku kemi kënaqësinë të jemi pjesë e një suksesi që shënojnë fakultetet, universitetet tona, bashkorganizatorë të Kongresit Ndërkombëtar të Shkencave Natyrore, Shëndetësore dhe Teknologjisë. Në Kongresin e sotëm promovohen numrat e rinj të revistave shkencore të pesë fakulteteve, do të prezantohen 291 punime shkencore të rreth 500 bashkautorëve, studiues të njohur, hulumtues shkencorë nga vendi e rajoni, të cilët ndër vite kanë kontribuar për avancimin shkencor, prurjet e reja dhe tejkalimin e problemeve që paraqesin sfidë për shkencat e mjekësisë, kulturës fizike, shkencave të zbatuara, shkencave natyrore dhe për shkencat e teknologjisë ushqimore dhe të ushqyerit. Vlerësojmë se këto aktivitete paraqesin rëndësi të veçantë për komunitetin akademik sepse mundësojnë shkëmbimin e ideve, përftimin e njohurive të shumta, krijimin e lidhjeve dhe miqësive të studiuesve vendas dhe të huaj. Universiteti i Tetovës ndjehet i nderuar që sot është nikoqir i këtij kongresi shkencor, sikundër ju siguroj se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë me dinjitet, përkushtim, profesionalizmin e duhur në të gjitha proceset akademike, kulturore dhe njerëzore”, tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Prof. Dr. Arben Gjata, organizimin e këtij kongresi e vlerësoi si një aktivitet mjaftë të suksesshëm shkencor për faktin se përveç prezantimit të punimeve shumë të rëndësishme shkencore nga shkencat natyrore, shëndetësore dhe ato teknologjike, studiuesit mes vete do të ndajnë përvojat e tyre dhe do të nxisin debate shumë të frytshme të cilat do të jenë në interes për studentët. “Këto takime janë rruga që ne mund t’i tejkalojmë vështirësitë të cilat i kemi, sepse këtu kemi një numër të madh njerëzish të mirëkulturuar, të cilët sot jo vetëm që punojnë në institucionet më të rëndësishme shëndetësore, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe në botën perëndimore, një diasporë intelektuale e rëndësishme të cilën në qoftë se universitetet do të bëjnë qeveri, universitetet duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të bashkëpunojnë me këtë elitë të shoqërisë, të japin dhe të marrin eksperienca shumë të mira shkencore mes vete, trajnime dhe formime të vazhdueshme, dhe besoj që kjo është rruga e duhur.
Besoj se Universiteti i Tetovës dhe ne si Universitet i Mjekësisë në Tiranë, të jemi të hapur për bashkëpunim me këta njerëz dhe të vazhdojmë ta ndjekim këtë rrugë të bashkëpunimit, me qëllim që në radhë të parë universitetet tona, studentët tanë të formohen si profesionistë të zotë dhe si qytetarë të denjë për vendet tona”, u shpreh Prof. Dr. Arben Gjata.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Skënder Topi e vlerësoi lartë organizimin e këtij kongresi. Siç tha ai, fjalët janë të pakta për këtë ngjarje në qoftë se shikohet programi i këtij evenimenti shkencor që në vete ngërthen organizimin e pesë konferencave të ndryshme shkencore ndërkombëtare dhe brenda kampusit të universitetit ka grumbulluar eminencat shkencore nga vende të ndryshme të botës. “Fjalët janë të pakta po të shikosh agjendën e këtij kongresi, të organizosh pesë konferenca shkencore në ditë të ndryshme dhe më një hapje të përbashkët si kjo sot është mbresëlënëse. Mes nesh ka qindra studiues të fushave të ndryshme dhe me qindra punime do të prezantohen gjatë mbajtjes së konferencave, imagjinoni sa mund dhe përkushtim, sigurisht që unë për këtë organizim të madhështor një falënderim në emrin tim dhe Universitetit të Elbasanit do t’ia bëjë Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe kësaj radhe do të shkoj edhe pak më poshtë me stafin e Rektorit, që kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kjo është një ditë e madhe për Universitetin e Tetovës sepse në këtë eveniment janë përfshirë shumë institucione të rëndësishme akademike dhe ky është një impenjim i madh për bashkëpunimin tonë ndërinstitucional”, theksoi Prof. Dr. Skënder Topi.
Këtë eveniment shkencor e përshëndeti edhe Prof. Dr. Luigi Santacroce, president i Nursing Degree Course nga Bari i Italisë.
Në hapjen solemne të këtij kongresi u mbajt edhe një ligjëratë profesionale lidhur me metodat hulumtuese në projektet multidisciplinare, me theks të veçantë projektet e bëra për industrinë, aktorët publikë dhe projektet hulumtuese të tjera, nga Prof. Dr. Arianit Kurti, ligjërues në Universitetin Linnaeus të Suedisë.

Zyra për Informim