Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Raman Ismaili tha se tema bosht e këtij tubimi është mjaft komplekse dhe multidimensionale për nga vetë natyra e saj, duke pasur parasysh faktin se në shumë aspekte Republika e Maqedonisë ende ndodhet në udhëkryq, jo vetëm për shkak të sfidave të jashtme me të cilat ballafaqohet shteti, por gjithashtu edhe falë problemeve dhe vështirësive në plan të brendëshëm. Sipas tij, këto probleme krahas dimensionit politik, në masë të madhe në vete gërshetojnë edhe dimensionin ekonomik, si një nga fushat bazë të garantimit të funksionalitetit të një demokracie bashkëkohore në plotëkuptimin e fjalës. „Në opinionin e gjerë, në vazhdimësi flitet për zhvillim dhe prioritete zhvillimore, mbetet fakti që shumë pak prioritetet e përcaktuara zhvillimore janë të operacionalizuara dhe më tepër kanë mbetur në suaza të synimeve të përgjithshme, të kornizave të përgjithshme në suaza të së cilave duhet të funksionojë sistemi ekonomik i vendit. Andaj, është bërë mëse e qartë se nuk mjafton që vetëm të ndërtohen plane të përgjithshme dhe strategji zhvillimore, prioritete zhvillimore në forma të numërimeve, por përkundrazi duhet ndërmarrë një aktivitetet më i gjerë që do të kishte përfshirë që në fazën e formulimit të prioriteteve, mendimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të botës akademike, të universiteteve, qëndrimet e odave ekonomike, bizneseve të mëdha, të vogla dhe të mesme, zejtarëve, shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara“, tha Prof. Dr. Raman Ismaili, dekan i Fakultetit Ekonomik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Nebi Hoxha se sa i përket përcaktimit të prioriteteve për zhvillim ekonomik, në vendin tonë edhe përskaj shumë kërkesave dhe propozimeve tona, si zëri i biznesit dhe ekspertëve ekonomik nga universitetet, që të kemi përcaktime të prioriteteve për rritje dhe zhvillim ekonomik, ende nuk kemi arritur që të kemi ndonjë dokument stategjik afatmesëm dhe afatgjatë për një gjë të tillë. „Ky proces mund të fillojë edhe me një transfomim me qëllim që të gjenerojë produkte të cilat kanë vlerë më të shtuar dhe teknologji më të lartë në proceset prodhuese. Shtylla e këtij transformimi do të jenë inovacioni dhe kapacitetet e ngritura të ndërmarrjeve, një rrjet më i plotë i industrive të lidhura për të përfituar sinergji, teknologjinë e gjelbër, prodhim të qëndrueshëm dhe diversifikimin e tregut të eksportit dhe importit“, tha z. Nebi Hoxha, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore.
Po ashtu, mes tjerash u tha se ky debat synon krijimin e një platforme akademike dhe shkencore që me tërë kapacitetin e vet akademik dhe intelektual do të vëhet në disponim të gjetjes dhe ofrimit të alternativave përkatëse dhe të zbatueshme për të kanalizuar në mënyrë më efiçiente masat ekonomike në drejtim të nxitjes së një zhvillimi më intensiv ekonomik dhe të gjithëmbarshëm shoqëror në përgjithësi.