//Në UT u hap ekspozita për kryeheroin e kombit Gjergj Kastriotin – Skënderbeu

Në UT u hap ekspozita për kryeheroin e kombit Gjergj Kastriotin – Skënderbeu

2018-11-21T16:03:31+00:00 Nëntor 21, 2018|
Në rektoratin e Universitetit të Tetovës u hap ekspozita e 50 artistëve shqiptarë të udhëhequr nga Prof. Dr. Miftar Memeti. Ai përmes kësaj ekspozite e solli më ndryshe figurativisht dhe stilistikisht figurën e heroit tonë legjendar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke marrë si shkas 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Nafi Jashari, në hapjen e kësaj ekspozite, në të cilën ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me dekanë, senatorë profesorë, studentë dhe mysafirë të tjerë,vlerësoi se me këtë ekspozitë, profesori Miftar Memeti edhe një herë pa asnjë hezitim e sprovoi veten e tij me një projekt kompleks artistik, i cili ka shfrytëzuar qoftë si përmbajtje tematike, por edhe si ikonografi vizuale mega figurën historike kombëtare të kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Profesoresha Dr. Jëlldëz Asani tha se kjo vepër ka qenë një sfidë, jo vetëm për Miftar Memetin, i njohur për veprat e tij kapitale “Nënë Tereza” dhe “100 Vjetori i Pavarësisë”, por ka qenë një sfidë tepër e vështirë edhe për 50 artistët e rinj pjesëmarrës në finalizimin e portretit gjigand të Skënderbeut. “Tërësia e panelit me kombinimin e ngjyrave të akrilikut në pëlhurë, i përbërë nga 50 copëza,përmban 32 simbole heraldike të modifikuara në mënyra të ndryshme nga ana e artistëve, 5 transformime të figurës së shqiponjës në pamje folklorike, 6 versione të figurës së Skënderbeut, një imazh nga sfragjistika dhe në fund për ta finalizuar me shënimin e një vargu të himnit kombëtar, të lidhur sipas sistemit të mozaikut, përvijon portretin gjigand të Skënderbeut. Portreti shoqërohet edhe me simbole tjera. Vepra e prekshme nga afër e gërshetuar me 50 pikturat si copëza të një mozaiku ekzistencial janë me kolorit të fisnikëruar me paletën e gjerë të ngjyrave, që vepron në mënyrë simbolike figurative” – tha Dr. Jëlldëz Asani.
Autori i kësaj ekspozite, piktori Prof. Dr. Miftar Memeti i falënderoi të gjithë piktorët, të cilët kanë qenë pjesë e këtij mozaiku. “Kjo punë nuk është vetëm imja, unë jam koordinator i këtyre punëve. Këto piktura i kanë pikturuar studentët që kanë diplomuar para disa viteve, piktorë, skulptorë, grafistë. Imazhi i këtij mozaiku është Skënderbeu dhe shqiponja. Është ndërtuar nga temat, motivet, siç janë stemat e llojllojshme të kombit tonë, portretet e vetë Skënderbeut, transformimi i shqiponjës nga folklori. Të gjitha 50 motivet kur bashkohen së bashku japin imazhin e Skënderbeut” – u shpreh Prof. Dr. Miftar Memeti.
Piktori Miftar Memeti me këtë vepër unike arriti ta lartësojë artin e tij në majën e një lirie kreative, me një zotërim të përvojave si asnjë artist tjetër bashkëkohor. Vepra e profesor Miftar Memetit nuk është vetëm pjesë e krijimtarisë së tij personale, por një zotërim i jashtëzakonshëm i eklektizmit, të një perfeksioni teknik dhe me dëshirë të papërmbajtur eksperimentimi, të gjitha këto të shoqëruara me vullnet dhe energji për të përdorur më shumë stile përnjëherësh.

Zyra për Informim