Në Katedrën e Psikologjisë të Universitetit të Tetovës, sot u mbajt një ligjëratë, me temë: „Komunikimi ndërkulturor dhe biznesi – nevoja në rritje e punës me njerëz me formime të ndryshme kulturore“, nga profesori amerikan Dan Fellner, specialist i programit Fullbright.
Gjatë ligjëratës së tij, z. Fellner foli për sfidat dhe rëndësinë e njohjes së komunikimit ndërkulturor në vendin e punës. Sipas tij, sot shumë kompani zhvillojnë biznes jashtë shtetit dhe punësojnë forca të ndryshme punëtore. Shanset që secili nga ne të bashkëpunojë me kolegët tjerë, klientët, apo furnizuesit me formime të ndryshme kulturore janë të mëdha. Prandaj mënyra se si ne komunikojmë me ta mund të ndikojë në suksesin apo dështimin e karrierës sonë.
Ligjëratës së sotme i parapriu edhe një takim i profesorit amerikan me dekanin e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, i cili e informoi profesorin Fellner me veprimtarinë e përgjithshme të Fakultetit Filozofik dhe u diskutua për mundësinë e bashkëpunimeve te reja arsimore – shkencore.
Në këtë takim mori pjesë edhe shefi i Katedrës së Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, i cili vlerësoi se ky event është i rëndësishëm për programin studimor të Psikologjisë dhe jo vetëm, për arsye se Prof. Dr. Dan Fellner është një personalitet me eksperiencë të dëshmuar profesionale, akademike dhe ndërkombëtare, ndaj ligjërata e sotme theksoi ai, shtjellon një tematikë bashkëkohore dhe ndërlidhet me kurrikulën e psikologjisë dhe të shkencave tjera.
Ligjërata e sotme u realizua në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në vendin tonë, përkatësisht
programin ndërkombëtar Fullbright.

Zyra për Informim