//Në UT u prezantua programi Fullbright Scholar nga Ambasada e SHBA-ve

Në UT u prezantua programi Fullbright Scholar nga Ambasada e SHBA-ve

2018-07-05T10:54:37+00:00 Prill 18th, 2018|
Sot në Universitetin e Tetovës, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e realizuan prezantimin e programit Fulbright Scholar. Përfaqësuesi i kësaj ambasade, Gazmend Ilazi, para studentëve dhe stafit akademik të Universitetit tonë theksoi se ky program ofrohet për çdo student dhe profesor që ka dëshirë dhe vullnet të marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat realizohen në kuadër të Fulbright Scholar.

Ai u bëri thirrje studentëve që të aplikojnë sa më shumë pasi që përzgjedhja e kandidatëve është shumë transparente dhe se kusht kryesor është njohja e gjuhës angleze. “Për momentin ne sot para studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Tetovës i prezantojmë disa programe. I pari është programi Fulbright që ofron studime të tërësishme dyvjeçare të masterit edhe atë për tri kategori të studentëve; studentët të cilët janë në mbarim e sipër të studimeve deridiplomike, studentët të cilët e kanë regjistruar masterin në Maqedoni ose diku tjetër dhe studentët të cilët e kanë regjistruar doktoraturën qoftë në Maqedoni apo në ndonjë shtet tjetër si dhe duan të bëjnë hulumtime mbi temën e masterit, por edhe të doktoraturës. Gjithashtu sot e prezantojmë edhe programin Humphrey, i cili ofron profesionalizim të kuadrove, p.sh. gazetarët nëse dëshirojnë që të përfitojnë nga ky program dhe të specializohen në profesionin e tyre qoftë në gazetari investiguese apo gazetari raportuese do të duhet të ndjekin një trajnim dhjetëmujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përfituar përvojat amerikane duke ndjekur ligjërata të përgjithshme nga profesorë eminentë të gazetarisë dhe në fund do të kenë punë praktike dhe do të mund të punojnë në një media të caktuar atje. Përveç kësaj ne ofrojmë edhe programin Global UGRAD për studentët e vitit të parë dhe të dytë të studimeve deridiplomike dhe ofron studime njësemestrale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha Gazmend Ilazi, përfaqësues i Ambasadës së SHBA-ve në Maqedoni.

Po ashtu nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bënë thirrje deri tek të gjithë studentët dhe profesorët që të aplikojnë sa më shumë në këto programe, pasi siç thanë ata me rritjen e programeve është rritur edhe numri i bursistëve nga viti në vit. Të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë të aplikojnë në këto programe mund të klikojnë në www.foreigrn.fulbright.org, www.humphreyfellowship.org, www.worldlearning.org dhe www.mk.usembassy.gov