Në Universitetin e Tetovës, më 4 korrik 2019 u organizua debat publik për propozim tekstin e “Strategjisë nacionale për zhvillim të konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Kjo strategji e hartuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është një dokument që përherë të parë përgatitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është me rëndësi të veçantë, për shkak se do të iniciojë aktivitete dhe do t’i përforcojë proceset e komunikimit dhe bashkëpunimit mes kulturave dhe bashkësive të ndryshme në drejtim të krijimit të një shoqërie korrekte dhe të drejtë, që i bën të gjithë qytetarët të barabartë.
Prodekania për Shkencë e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Rabije Murati, përpilimin e kësaj strategjie e vlerësoi si shumë të nevojshme për krijimin e një shoqërie të përbashkët brenda territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, përfshirja e sa më shumë institucioneve akademike do të ndihmojë në zhvillimin e një shoqërie moderne, të qëndrueshme, me vizion dhe properëndimore. “Ne sot, bashkërisht e realizojmë këtë debat publik në lidhje me strategjinë më të re që e përpilon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e që ka të bëjë me një shoqëri interkulturore dhe është një pikënisje shumë e mirë. Unë ndjej edhe obligimin moral edhe atë profesional që t’i falënderoj përfaqësuesit e Qeverisë që edhe Universitetin e Tetovës e kanë përfshirë në pjesën e këtyre institucioneve, në të cilët janë realizuar debatet e kësaj natyre. Ne ndjehemi të privilegjuar që do të përfshihemi me idetë, sugjerimet dhe mendimet tona në lidhje me përpilimin e kësaj strategjie, e cila me përfundimin e këtyre debateve së shpejti edhe do të përmbyllet”, tha Prof. Dr. Rabije Murati.
Kryetari i trupit koordinues, Robert Alagjozovski tha se nëse duam të ndërtojmë një shoqëri duhet të fillojmë nga bankat shkollore, edhe atë nga moshat parashkollore, kështu që në këtë kuptim komuniteti akademik është i pashmangshëm. “Duke organizuar një sërë ngjarjesh promovuese, si në publik ashtu edhe në komuna dhe universitete të ndryshme, konkludojmë se ky koncept është shumë i rëndësishëm, që ne kemi kuadrin që mund ta zbatojë atë, dhe natyrisht, në këtë kuptim ekziston edhe përvoja që janë të organizuara në një strategji të re, me një plan veprimi të kontribuojmë për një zhvillim edhe më të madh”, u shpreh Robert Alagjozovski.
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Rubin Zemon shtoi se të gjitha palët e përfshira në këtë strategji duhet të fokusohen në marrëdhëniet ndërkulturore, në dialogun midis grupeve dhe etniteteve të ndryshme. “Kjo strategji do të jep më shumë fokus në marrëdhëniet ndërkulturore dhe nuk përjashton multikulturalizimin, që është zhvilluar dhe do të zhvillohet në të ardhmen. Ne si shoqëri duhet të ndërtojmë një shoqëri ku nuk do të ketë diskriminim apo përjashtim. Të gjithë njerëzit do të ndjehen të barabartë përpara shërbimeve publike dhe para ligjit që të kemi një shoqëri moderne dhe evropiane”, shtoi deputeti Rubin Zemon.
Ndërsa prodekani për Shkencë i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Musa Musai, në qasjen shkencore të tij rreth hartimit të kësaj strategjie theksoi se globi është një pluriversum në kuadër të së cilit njeriu vjen me premisën se tjetri nuk është doemos edhe personi që duhet paragjykuar dhe stereotipizuar.
“Koncepti multikulturor është koekzistencë me të ndryshmit dhe ata që dallojnë prej neve, ndërsa interkulturalizmi është reciprocitet, akceptimi dhe vlerësimi i tjetrit, që nuk është si unë por me të cilin ndërveprojmë. Botën, nëse e merrni në prizmin e globalizmit, sikur 100 njerëz, 50 janë aziatikë, 30 evropianë, 20 afrikanë etj, 70 janë jo të bardhë e 30 të bardhë, 52 femra e 48 meshkuj, 70 jo të krishterë, 30 të krishterë, që do të thotë, inkorporimi në sistemin arsimor, konceptin divers të bashkuar në një”, theksoi Prof. Dr. Musa Musai.
Në debatin publik kushtuar strategjisë nacionale për zhvillim të konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizëm foli edhe Petrit Saraqini, këshilltar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është që të ndërtojë shoqëri ku çdokush do të ndjehet si pjesë e “një shoqërie” dhe përmes saj të zbatohen rekomandimet e trupave ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian, si dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Zyra për Informim