//Në UT u prezantuan mundësitë e shkëmbimit për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS

Në UT u prezantuan mundësitë e shkëmbimit për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS

2019-05-09T16:07:41+00:00 Maj 09, 2019|
Koordinatori i rrjetit të HR-1005, i Sistemit Arsimor në Evropën Qendrore, Prof. Dr. Vjekoslav Galzina nga Universiteti “Josip Juraj Strossmayer” i Osijekut, sot, para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, i prezantoi mundësitë që i ofron ky rrjet për mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve.
Gjatë vizitës në UT, Prof. Vjekoslav Galzina i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Damir Matanoviç, realizoi një takim me dekanin e Fakultetit Filozofik të UT-së, Prof. Dr. Ibish Kadriu, me të cilin diskutuan për procesin edukativ – arsimor, hulumtimet shkencore, por theks i veçantë iu kushtua vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, për thellimin e bashkëpunimit dhe për krijimin e mundësive të reja të rrjeteve të Ceepus, u bisedua edhe në takimin me përgjegjësin e Zyrës për përpilim dhe menaxhim të projekteve në UT, Doc. Dr. Shefik Shehun.
Programi ndërkombëtar CEEPUS ka për qëllim të promovojë mobilitetin e studentëve dhe të stafit arsimor, bashkëpunimin dhe zhvillimin e programeve që mundësojnë pajisjen me diploma të përbashkëta. Gjithashtu, u mundëson institucioneve të arsimit të lartë të marrin pjesë si koordinatorë, ose partnerë në CEEPUS III, të rrjeteve universitare nga fusha të ndryshme.

Zyra për Informim