//Në UT u promovua libri “Ekonomia informale dhe fenomenet shoqëruese të saj”

Në UT u promovua libri “Ekonomia informale dhe fenomenet shoqëruese të saj”

2018-05-16T16:07:36+00:00 Shkurt 21st, 2018|
Në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës sot u bë promovimi i librit “Ekonomia informale dhe fenomenet shoqëruese të saj” i autorit Doc. Dr. Harun Tahiri. Në këtë libër autori e analizon pronën dhe specifikat e procesit të transformimit dhe privatizimit, pikat e ndjeshme të këtij procesi të ekonomisë informale dhe fenomenet shoqëruese të saj, të personifikuara në korrupsion, ryshfet, evazion fiskal, krim të organizuar, monopole informale, që janë karakteristika dalluese, të cilat e shoqërojnë procesin e tranzicionit në Maqedoni.

Recensenti i librit, Prof. Dr. Raman Ismaili, tha se në këtë libër autori ka analizuar dhe studiuar fenomenet e informalitetit e në veçanti punën e zezë. “Ky libër jep një panoramë të përgjithshme mbi situatën e informalitetit në Maqedoni dhe në rajon, përfshirë edhe pasojat për ekonominë dhe komunitetin e analizuar nga këndvështrime të ndryshme. Rezultati kryesor i këtij studimi është nxjerrja e konkluzioneve, rekomandimeve të pranueshme dhe marrja e masave për minimizimin e sektorit informal. Duke u bazuar në pasojat e këtij fenomeni të jepet mundësia e përgatitjes së një politike shtetërore me përfshirjen e gjerë të partnerëve social në luftën kundër punës së zezë në veçanti dhe sektorit informal në përgjithësi” tha Prof. Dr. Raman Ismaili.

Ndërsa recensenti tjetër i librit, Prof. Dr. Selman Selmanaj, tha se autori në librin e tij të ndarë në 6 pjesë ka dhënë një pasqyrim mbi definimin e ekonomisë informale. “Ju do ta shihni se autori përveç definimit të ekonomisë informale është fokusuar edhe mbi ekonominë informale në Maqedoni, përhapjen e saj në vendet në zhvillim dhe ato në tranzicion, përfshirë këtu edhe faktorët kryesorë dhe format më të shprehura të ekonomisë informale. Rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe ndërvarësisë mes ekonomisë informale dhe formave shoqëruese të saj, metodat e matjes dhe masat e domosdoshme për kufizimin e ekonomisë informale” – tha Prof. Dr. Selman Selmanaj.

Autori i librit, Doc. Dr. Harun Tahiri, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në auditor theksoi se në këtë libër janë trajtuar problemet e ndërvarësisë midis privatizimit të pronës dhe ekonomisë informale, për kuptimin, rolin, efektet dhe pasojat nga ky proces. “Element qenësor, komponentë e çdo sistemi ekonomik, sipas kësaj edhe i Maqedonisë, është karakteri i pronës. Proceset e tranzicionit drejt ekonomisë së tregut në ekonominë e Maqedonisë u shoqëruan me ndryshime të thella në strukturën e pronësisë, në madhësinë e ndërmarrjeve, në ndryshimin e udhëheqjes, në strukturën e prodhimit, punësimit, liberalizimin e ekonomisë, veprimin e lirë të institucioneve të tregut, konkurrencën dhe mobilizimin e resurseve për një zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm, ku vend të rëndësishëm ka ekonomia e vogël” – tha autori Doc. Dr. Harun Tahiri.

Po ashtu në promovimin e këtij libri u tha se Republika e Maqedonisë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit është ballafaquar me format më të ashpra të ekonomisë informale dhe korrupsionit si dhe mungesë të vullnetit politik për luftimin e këtij fenomeni dhe radhitet si një ndër shtetet me kriminalitet dhe korrupsion më të lartë.