Më 27 nëntor 2024, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Gramatika maqedonase që afron (Македонскаграматикаштозближува) – pjesa e parë (првдел)”, i autoreve: CutkaJovanovska, Marina Spasovska dhe Marina Danilovska, me përkthim nga maqedonishtja në shqip nga Nertila Ramadani.

Në promovim morën pjesë rektori i Universitetit të Tetovës – prof. dr. JusufZejneli, prorektori për shkencë i UT-së – prof. dr. Vullnet Ameti, dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës – prof. dr. BertonSulejmani, drejtoresha e Institutit të Gjuhës Maqedonase “KrsteMisirkov”, Shkup – prof. dr. Elena Jovanova-Grujovska, prodekanë, profesorë universitarë nga Universiteti i Tetovës, profesorë universitarë nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Shkup, bashkëpunëtorë shkencorë dhe profesorë nga Instituti i Gjuhës Maqedonase “KrsteMisirkov”, Shkup, profesorë të shkollave të mesme, mësimdhënës, studentë dhe shumë të tjerë që treguan interes për këtë tekst universitar të publikuar dhe nderuan autoret si dhe Universitetin.

Ky botim përbën një material të rrallë didaktik, i destinuar për studentët, për nxënësit që mësojnë gjuhën maqedonase si gjuhë jo amtare, për mësuesit dhe profesorët, por edhe për të gjithë përdoruesit e tjerë që dëshirojnë të përvetësojnë normat fonetiko-fonologjike dhe morfologjike të gjuhës maqedonase. Ai është rezultat i një pune shumëvjeçare (pothuajse dydekadëshe) të autoreve me studentët e të gjitha fakulteteve dhe programeve studimore të UT-së, që mësojnë gjuhën maqedonase bashkëkohore.

Gjatë krijimit të këtij materiali mësimor janë zbatuar parimet metodologjike të sistematizimit, pasueshmërisë, praktikës, qartësisë, koncezitetit, thjeshtësisë dhe efikasitetit. Një fokus i veçantë gjatë përpunimit i është kushtuar stilit, me qëllim arritjen e synimit kryesor – të gjendet një zbatim efektiv në mësimin e gjuhës maqedonase nga grupi i synuar i përdoruesve. Gramatika përbëhet nga dy pjesë: në të parën trajtohen njësi mësimore nga fusha e fonetikës dhe fonologjisë, ndërsa në të dytën nga fusha e morfologjisë. Çdo njësi është trajtuar me një stil të thjeshtë, e përshtatur për grupin e synuar të përdoruesve. Njësitë janë plotësuar me shembuj kreativë, ushtrime dhe fjalorë. Një pjesë e definicioneve teorike, mënyrat e formimit të disa grupeve të fjalëve etj., janë përkthyer në gjuhën shqipe, për ta bërë më të lehtë kuptimin e përmbajtjes së tyre.

Përdorimi i pjesës më të madhe të përmbajtjeve është tashmë i konfirmuar nga ana e autoreve, gjatë punës së tyre shumëvjeçare me studentët, ndaj siguria për efektivitetin e këtij teksti është në nivel të lartë.

Në promovimin e librit “Gramatika maqedonase që afron (Македонскаграматикаштозближува) – pjesa e parë (првдел)”, morën fjalën edhe recensentët: prof. dr. BertonSulejmani – dekan i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, prof. dr. VeselinkaLabroska – këshilltare shkencore/profesoreshë e rregullt në Institutin e Gjuhës Maqedonase “KrsteMisirkov”, anëtare korrespondente e ASHAM dhe profesoreshë e rregullt në programin studimor për Gjuhë Maqedonase në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, si dhe prof. dr. StojkaBojkovska – profesoreshë e rregullt në pension nga Fakulteti Filologjik “BllazheKoneski”, Shkup;

Promovimi u pasurua edhe me një kënd krijues me përfshirjen e studentëve, duke pasur parasysh faktin se libri mësimor është kryesisht i destinuar pikërisht për ta.

Autoret e përfunduan promovimin duke theksuar se libri është i dobishëm për të dyja palët – për autorët ofron ndjenjën e ngazëllimit, ndërsa për lexuesit mundësinë e përvetësimit, duke premtuar se për aq kohë sa do të ketë të interesuar për njohuri, ata do to vazhdojnë të krijojnë dhe se puna për pjesën e dytë të tekstit tashmë ka filluar.