//Në UT u promovua libri Teknologjia e lajmit i Dr. Zylyftar Bregut

Në UT u promovua libri Teknologjia e lajmit i Dr. Zylyftar Bregut

2018-05-17T14:22:33+00:00 Mars 27th, 2018|
Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës sot u promovua vepra Teknologjia e lajmit e autorit Dr. Zylyftar Bregu. Në promovimin e kësaj vepre të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Zv. Kryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, z. Bujar Osmani, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, Reisul ulema efendi Sulejman Rexhepi, pronarë të disa medieve shqipe në Maqedoni, gazetarë profesorë dhe studentë.

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti, të pranishmëve në këtë aktivitet me fjalë rasti iu drejtua prodekani për arsim i Fakultetit Juridik Doc. Dr. Jusuf Zejneli, i cili e falënderoi autorin, Dr. Zylyftar Bregu për përzgjedhjen, që veprën e tij ta promovojë në Universitetin tonë.

Shefi i katedrës së Gazetarisë në Universitetin e Tetovës, Doc. Dr. Selam Isejni, tha se libri Teknologjia e lajmit do të jetë një ndihmesë e madhe për studentët e gazetarisë ngase autori ka përfshirë sfidat e informacionit në kohën e sotme.

Autori i librit, Dr. Zylyftar Bregu, para të pranishmëve në auditor tha se libri Teknologjia e lajmit është një tekst që shqyrton, analizon dhe trajton problematikën e informacionit në përgjithësi dhe të lajmit në veçanti dhe kryesisht është për studentët e gazetarisë dhe komunikimit, përfshirë këtu edhe gazetarët e rinj dhe të vjetër si dhe të gjithë ata njerëz të cilët në këtë kohë moderne dëshirojnë të merren me lajmin. “Është një botim didaktik kryesisht për studentët që shpjegojnë lajmin si përmbajtje, por jo vetëm lajmin si të tillë, por lajmin në marrëdhënie edhe me korporatën mediatike që prodhon edhe me audiencën edhe me marketuesit, reklamuesit, që janë shumë të rëndësishëm në raport me këtë kontest. Shpresoj që të jetë libër i dobishëm, jo vetëm për studentët, por edhe për ata që janë të interesuar për fushën e lajmit si edhe për konsumatorët në këtë kohë digjitale, sepse konsumatorët tashmë nuk janë thjesht konsumatorë, por janë edhe prodhues të informacionit dhe mbase kanë nevojë të njohin disa nga teknikat dhe teknologjitë e përpunimit të informacionit” tha Dr. Zylyftar Bregu.

Për përmbajtjen dhe specifikat e këtij libri, vlerësimet e tij i shfaqi edhe Akademiku Prof. Dr. Artan Fuga. Ai tha se libri Teknologia e lajmit i Dr. Zylyftar Bregut për nga titulli duket që nga njëra anë përfshin një koncept dhe nga ana tjetër një praktikë që tregon fjala teknologji, ku trajtohen probleme bashkëkohore që kanë lidhje me shkencën e informacionit, specifikisht të lajmit dhe të lajmit në të gjitha mediumet dhe në të gjitha platformat duke përfshirë edhe ato të rrjeteve sociale. “Ky libër dëshmon me argumente se prodhimi i lajmit është një makineri e ndërlikuar që në “motorët” e saj ka sa teknologji, aq edhe ekonomi, politikë, paragjykime, norma saktësie dhe individualitet” – u shpreh Akademiku Prof. Dr. Artan Fuga

Në këtë promovim po ashtu u tha se libri ka për qëllim të sjellë në vëmendje pikat kyçe të të qenit një gazetar i mirë duke iu drejtuar audiencës së gazetarëve të rinj, por edhe atyre të vjetër.