Në Universitetin e Tetovës u promovua vepra shkencore “Lëvizja Revolucionare-Kombëtare Shqiptare dhe Maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike (1922–1928)” e autorit Mehmet Prishtina, një studim që trajton zhvillimet politike dhe diplomatike në Ballkan në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.

Mehmet Prishtina fillimisht u prit nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili shprehu urimet më të sinqerta për botimin e kësaj vepre me rëndësi të veçantë për historiografinë shqiptare dhe studimet ballkanike, sikundër theksoi se ky botim paraqet një kontribut të çmuar shkencor në ndriçimin e zhvillimeve politike dhe diplomatike të kohës, duke sjellë fakte, analiza dhe këndvështrime të rëndësishme mbi raportet ndërmjet lëvizjeve revolucionare-kombëtare shqiptare e maqedonase dhe diplomacisë sovjetike të kohës.

Promovimi u mbajt në ambientet e Fakultetit Filozofik, ku morën pjesë  profesorë, studiues, studentë dhe mysafirë të shumtë nga jeta akademike dhe publike.Dekani, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në fjalën e tij theksoi se ky libër trajton ndikimin e diplomacisë ilegale sovjetike ndaj lëvizjeve revolucionare shqiptare dhe maqedonase gjatë viteve 1922–1928, si dhe zhvillimet politike që karakterizuan Ballkanin në atë periudhë historike. Ai me tej u shpreh se libri është mbështetur në dokumente arkivore, burime historike rajonale dhe ndërkombëtare, duke sjellë edhe dokumente e të dhëna që publikohen për herë të parë dhe që ndriçojnë episode të rëndësishme historike e politike të kohës.

Në kuadër të panelit promovues, për veprën folën recensentët Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi dhe Prof. Dr. Katarina Todorovska, të cilët vlerësuan kontributin e studimit në pasurimin e historiografisë shqiptare dhe studimeve bashkëkohore mbi marrëdhëniet politike e diplomatike në Ballkan.

Ndërkaq, autori Mehmet Prishtina foli mbi motivin, përmbajtjen dhe procesin e realizimit të librit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të dokumentuar të zhvillimeve historike të kësaj periudhe.

Në pjesën e diskutimeve dhe komenteve morën pjesë edhe Prof. Astrit Memia, Ambasador Arben Çejku dhe Prof. Lenina Zhilla Popovska, të cilët ndanë vlerësimet e tyre rreth rëndësisë akademike dhe historike të kësaj vepre.

Promovimi u vlerësua si aktivitet me rëndësi të veçantë akademike dhe kulturore, që kontribuon në thellimin e studimeve historike dhe në nxitjen e debatit shkencor mbi zhvillimet politike në rajon.