Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, me aktivitete të ndryshme e shënoi 16 tetorin, Ditën Botërore të Ushqimit. Profesorët dhe studentët e këtij fakulteti, përmes këtij manifestimi, përcollën mesazhe sensibilizuese deri te popullata që sa më shumë t’i kushtojnë rëndësi ushqimit dhe mënyrës së të ushqyerit.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, para të pranishmëve mbajti një ligjëratë tematike kushtuar ushqimit në përgjithësi. Ai, në pika të shkurtra, foli mbi historikun e Ditës Botërore të Ushqimit dhe më pas u fokusua mbi mënyrën e të ushqyerit, kequshqyerjen dhe mbiushqyerjen, ndërsa theks të veçantë i kushtoi urisë në botë dhe në vendin tonë. “Sot ne e shënojmë 16 tetorin, Ditën Botërore të Ushqimit. Kjo datë përkujtohet nga viti 1981 dhe përkujton themelimin e Organizatës Botërore të Ushqimit. Meqë shënimi i kësaj date është pjesë e studimit tonë, ne e pamë të arsyeshme që të organizojmë një ligjëratë të shkurtër tematike lidhur me ushqimin në përgjithësi si dhe t’i prezantojmë produktet ushqimore të prodhuara në kushte laboratori nga studentët e fakultetit tonë të vitit të dytë dhe të tretë. Këtë ditë e përkujtojmë për të ndërgjegjësuar opinionin publik mbi problemet e ushqimit në botë, por edhe në vend. Po t’i shohim statistikat e ndryshme, sot në botë vdesin mesatarisht 6 milion njerëz si rezultat i mosushqyerjes, kurse 20 përqind e vdekjeve të fëmijëve në moshë 5-vjeçare është si rezultat i mosushqyerjes ose kequshqyerjes. E njëjta statistikë flet për ngjarje në rrethana të tilla edhe në Republikën e Maqedonisë. Edhe këtu mesatarisht 500 mijë njerëz brenda ditës nuk e kanë sasinë e nevojshme të ushqimit për t’i plotësuar nevojat ushqyese të tyre. Qëllimi i këtij organizimi ishte të ndërgjegjësojmë opinionin publik në lidhje me njerëzit, të cilët kanë nevojë për përkrahje me ushqim, po ashtu edhe për planifikimin e politikave shtetërore në lidhje me këtë kategori të njerëzve” – tha Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, dekan i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.
Gjatë prezantimit dhe degustimit të produkteve ushqimore të përgatitura nga profesorët dhe studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me ekipin e tij, dekanë të fakulteteve, profesorë dhe studentë.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, konstatoi se për të konsumuar ushqim të shëndetshëm duhet të ndërgjegjësohet politikbërja në nivel global, në lidhje me politikat ushqimore si dhe të shfrytëzohen burimet natyrore pa keqpërdorime, duke mbjellë bimë në përputhje me kushtet mjedisore të zonës. Sipas tij, ushqimi duhet të shfrytëzohet në mënyrë racionale si dhe të ndërgjegjësohen bizneset që ushqimet e tepërta t’i shpërndajnë për njerëzit në nevojë, ndërsa institucionet qendrore dhe ato lokale të hapin kuzhina edhe kuzhina sociale.