Njoftojmë opinionin e gjerë se Universiteti i Tetovës është një institucion serioz i arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë, i hapur dhe transparent sa u përket çështjeve me interes akademik, studentor dhe shoqëror.
Shqetësimi i çdo studentit tonë është brenga jonë, prandaj dhe të gjitha mekanizmat dhe asetet në dispozicion i kemi vënë dhe do të vazhdojmë t’i vemë në të mirë të rinisë studentore, e cila paraqet shtyllën kryesore të mbarë shoqërisë.
Në frymën e transparencës dhe të mirës të komunitetit studentor të Universitetit të Tetovës, gjatë ditëve në vijim do të ngremë platformën online studentore, përmes së cilës do të mund të artikulohen të gjitha nevojat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre, të cilat do të trajtohen me seriozitetin më të madh nga organet e njësive akademike dhe të Universitetit.
Universiteti i Tetovës ju siguron se do të reflektojë për çdo çështje akademike dhe studentore, me synimin që të krijojmë një platformë të qëndrueshme për të ardhmen e mbarë shoqërisë.