Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës u përfaqësua në një konferencë dhe punëtori ndërkombëtare të mbajtur në Selanik të Greqisë, në periudhën 25–28 maj 2026. Në këtë ngjarje shkencore morën pjesë dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Brikend Aziri, dhe Doc. Dr. Ali Maksuti.
Aktiviteti u organizua nga Universiteti Macedonia (Selanik) dhe Universiteti i Illinoisit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbledhur ekspertë, profesorë dhe studiues nga vende të ndryshme për të diskutuar tema aktuale në fushën e ekonomisë, analizës së të dhënave dhe transformimeve bashkëkohore ekonomike.
Në sesionet shkencore të konferencës, Doc. Dr. Ali Maksuti prezantoi studimin me titull “Strategic Investment Management and Business Environment: Evidence from West Balkan Countries”, ku u analizuan faktorët që ndikojnë në investimet strategjike dhe zhvillimin e klimës së biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përveç pjesëmarrjes në punimet e konferencës, përfaqësuesit e Fakultetit Ekonomik zhvilluan takime me akademikë dhe drejtues universitarë, me qëllim identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim në projekte shkencore, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik.
Pjesëmarrja në forume të tilla ndërkombëtare paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e veprimtarisë shkencore të Fakultetit Ekonomik dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze të arsimit të lartë.



