Me shumicën e votave të stafit akademik të 13 fakulteteve, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti është zgjedhur Rektor i Universitetit të Tetovës për mandatin trevjeçar 2026–2029.
Pas pranimit të rezultateve të votimit për zgjedhjen e Rektorit, të dorëzuara nga komisionet zgjedhore të njësive akademike, Komisioni Universitar i Zgjedhjeve bëri verifikimin dhe përmbledhjen e rezultateve për të gjitha njësitë e Universitetit të Tetovës.
Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 355 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Në procesin e votimit morën pjesë 343 votues, përkatësisht 96.62%.
Kandidati Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti fitoi 197 vota, kandidati Prof. Dr. Fehari Ramadani mori 119 vota, ndërkaq kandidati Prof. Dr. Jusuf Zejneli 22 vota.
Në përputhje me procedurat e përcaktuara për zgjedhjen e Rektorit, kandidatët janë vlerësuar sipas sistemit të pikëve të fituara.
Rezultati përfundimtar sipas këtij sistemi është si në vijim:
Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, fitoi gjithsej 1627,677 pikë;
Prof. Dr. Fehari Ramdani profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, fitoi gjithsej 843,915 pikë;
Prof. Dr. Jusuf Zejneli, profesor ordinar në Fakultetin Juridik, fitoi gjithsej 128,408 pikë.
Në pajtim me nenin 106, paragrafin 9, të Statutit të Universitetit të Tetovës, për mandatin trevjeçar 2026–2029, Rektor i Universitetit të Tetovës është zgjedhur Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, me numrin më të madh të pikëve të fituara në këtë proces zgjedhor.




