Universiteti i Tetovës, me hidhërim të thellë e mori lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Remzi Nesimit, intelektualit të respektuar në mbarë hapësirën shqiptare.
Profesor Remziu ishte pishtar i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni si dhe studiues i zellshëm i shqipes. Me punën e frytshme arsimore, shkencore e kulturore ka dhënë ndihmesë shumë të çmuar për përvetësimin e normës letrare në shkollat shqipe, në mediet e shkruara dhe elektronike në Maqedoni dhe përgjithësisht për kultivimin, pasurimin, ruajtjen e pastërtisë së shqipes nga elementet e huaja.
Prof. Dr. Remzi Nesimi ishte një intelektual i rrallë, një figurë me diapazon të gjerë, vlerat e tij qëndrojnë në shumë rrafshe, por kontributin më të madh e dha në rrafshin gjuhësor. Trashëgimia në lëmin e gjuhës është shumë e madhe. Me këtë veprimtari, Prof. Dr. Remzi Nesimi, kishte pikësynim kryesor realizimin e idealeve të rilindësve tanë, që luftuan pareshtur për lëvrimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si dhe për përdorimin e drejtë të saj sipas rregullave të standardizimit.
Më se gjysmë shekulli, me përkushtim e vetëmohim punoi për ngritjen e përgjithshme arsimore e kulturore dhe të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni e më gjerë, për të lëvruar, kodifikuar dhe përpunuar shqipen standarde. Me veprimtarinë e shumanshme, profesor Remziu kontribuoi fuqishëm për të ngritur gjithnjë e më lart piramidën e përbashkët kombëtare.
Në këto momente të rënda të dhimbjes, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës u shprehim ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar Nesimi, bashkëpunëtoreve, studentëve, dashamirëve, kolegëve dhe miqve të Tij.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Prof. Dr. Remzi Nesimin!
Tetovë, më 4 shkurt 2018 Rektori
Prof. Dr. Vullnet Ameti