Universiteti i Tetovës përmes Fakultetit Ekonomik, më 21 prill 2026, e organizoi punëtorinë “Ekonomistët e së ardhmes” – aktivitet i dedikuar për maturantët e shkollave të mesme, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me studimet në ekonomi dhe perspektivat që ofron kjo fushë.
Punëtoria u zhvillua në një atmosferë interaktive dhe bashkëpunuese, ku pjesëmarrësit u përfshinë në aktivitete praktike dhe diskutime të hapura mbi çështje aktuale ekonomike. Në hapje të aktivitetit, prodekania për arsim, Prof. Dr. Elsana Aqifi, prezantoi qasjen moderne të mësimdhënies në Fakultetin Ekonomik, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes së teorisë me praktikën dhe përfshirjen aktive të studentëve në procese reale.
Në vijim, përfaqësuesit e programeve studimore prezantuan mundësitë që ofron secili drejtim, duke i shoqëruar ato me shembuj konkretë. Përmes këtyre sesioneve, maturantët u angazhuan drejtpërdrejt në analiza dhe zgjidhje problemesh, duke zhvilluar aftësi praktike dhe mendim kritik.
Pjesa përmbyllëse e punëtorisë u karakterizua nga prezantimet e vetë nxënësve, të cilët trajtuan tema aktuale si rritja e çmimeve, menaxhimi i buxhetit personal, zhvillimi i ideve të biznesit dhe strategjitë e marketingut. Po ashtu, ata sollën ide kreative për promovimin e turizmit, duke dëshmuar nivel të lartë kreativiteti dhe përkushtimi.
Në shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata, duke e bërë këtë përvojë një hap të rëndësishëm në orientimin e tyre akademik dhe profesional.












