Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë të organizuar në Shkup në bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë e diplomatë, profesorë universitarë, studiues, ekspertë të sigurisë, si dhe studentë, me qëllim të trajtimit të sfidave bashkëkohore të sigurisë në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, theksoi rëndësinë e organizimit të platformave të përbashkëta akademike për diskutimin e çështjeve të sigurisë, në një periudhë kur mjedisi ndërkombëtar karakterizohet nga pasiguri në rritje, rivalitete gjeopolitike, konflikte të vazhdueshme, kërcënime hibride, sulme kibernetike, migrime masive dhe sfida të reja ndaj rendit ndërkombëtar.
Ai potencoi se siguria sot nuk është më vetëm një çështje institucionale apo akademike, por një dimension thelbësor i zhvillimit, stabilitetit dhe prosperitetit të shoqërive moderne. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërinstitucional për ndërtimin e mekanizmave të sigurisë.
Në kuadër të konferencës u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve publike të vendit, Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, si dëshmi e përkushtimit të institucioneve akademike për të kontribuar në avancimin e dijes dhe promovimin e kulturës së dialogut, mirëkuptimit dhe sigurisë.
Gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit zhvilluan prezantime dhe diskutime profesionale lidhur me sfidat e reja të sigurisë, duke shkëmbyer ide, analiza dhe rekomandime konkrete për forcimin e sigurisë kombëtare, rajonale dhe evropiane.
Konferenca u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet akademisë, institucioneve dhe komunitetit të ekspertëve, me synim adresimin e sfidave komplekse të sigurisë së shekullit XXI.









