Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Baftijari-Yzeiri, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore Prof. Dr. Florim Idrizi, si dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara Prof. Dr. Enis Jakupi e pritën në takim drejtoreshën e Agjencisë për Inovacion “Inova”, Daniela Dimovska.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit.

Drejtoresha Dimovska e njoftoi udhëheqjen e UT-së mbi procedurat, thirrjet publike dhe projektet specifike që qeveria i përgatit përmes Agjencisë. Ndërkaq, drejtuesit e Universitetit të Tetovës konfirmuan se institucioni zotëron kapacitetet e plota akademike dhe profesionale për t’iu përgjigjur këtyre thirrjeve me projekte konkurruese.

​Në fokus të bashkëpunimit pritet të jenë: modernizimi i laboratorëve (u diskutua konkretisht për mbështetjen financiare dhe ndihmën në mjete teknologjike për laboratorët e FSHMN-së dhe FSHZ-së) me pajisje të cilat do të jenë në shfrytëzim të plotë të studentëve dhe profesorëve; fondet ndërkombëtare dhe bashkërendimi i forcave për të aplikuar në projekte të mëdha të financuara nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë; bashkëpunimi i stafit akademik, gjegjësisht angazhimi i profesorëve dhe hulumtuesve të UT-së si ekspertë në projektet që lidhin shkencën me nevojat reale të biznesit vendas.

Pas përfundimit të takimit, drejtoresha Daniela Dimovska i vizitoi laboratorët e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara ku u njoh me infrastrukturën kërkimore, pajisjet teknologjike dhe projektet praktike që zhvillohen aktualisht nga studentët dhe stafi akademik. Kjo vizitë shërbeu për të identifikuar pikat ku pritet të bëhen investimet përkatëse nga Agjencia për Inovacion “Inova”.