Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në seminarin e ERASMUS + të organizuar nga agjencitë kombëtare ERASMUS + të vendeve MedNet (Qipro, Kroaci, Francë, Greqi, Itali, Maltë, Portugali, Serbi, Slloveni, Spanjë, Maqedoni e Veriut dhe Turqi).
Objektivi kryesor i këtij seminari ishte forcimi i dimensionit ndërkombëtar në arsimin e lartë përmes programit Erasmus+ 2021-2027. Ky seminar mblodhi së bashku përfaqësues universitetesh (rektorë, prorektorë ose homologë të tjerë) të institucioneve të arsimit të lartë nga MedNet, vendet e Mesdheut Jugor dhe të Afrikës Sub-Sahariane për të ofruar një mundësi unike të rrjetëzimit, gjetjes së institucioneve bashkëpunëtore, ndarjes së praktikave më të mira dhe ideve të reja për të hartuar projekte të reja në fusha me interes të përbashkët brenda kontekstit të programeve të Erasmus+.
Programi i këtij seminari krijoi hapësira të nevojshme që përveç organizimit të grupeve të punës për të diskutuar rreth objektivave të seminarit dhe krijimit të projekt-propozimeve të reja, iu dha mundësi pjesëmarrësve për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të diskutuar marrëveshjet e mundshme të bashkëpunimit, për të dalë me ide të reja për bashkëpunim në të ardhmen si dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet tyre.
Seminari u zhvillua në kampusin universitar të qytetit Ben Guerir të Mbretërisë së Marokut, prej 4 deri më 7 mars 2024.