Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli i priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Paqes z. Tahir Shabani, njëherësh president i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (me seli në Francë dhe Gjenevë), si dhe z. Zaim Jashari, Konsull i Nderit i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjenevë.
Fillimisht, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, mysafirët i informoi me veprimtarinë e Universitetit të Tetovës, rrugëtimin e tij akademik ndër vite, si dhe sfidat dhe arritjet kryesore në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte bashkërendimi i forcave për fuqizimin e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i cili synon mbështetjen konkrete për studentët, stafin akademik dhe vetë Universitetin e Tetovës. Z. Shabani dhe z. Jashari, shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të qenë në shërbim të institucioneve arsimore, sikundër e njoftuan rektorin për nismën e themelimit të një fondacioni të ri në Gjenevë, i cili do të fokusohet në ndihmën dhe përkrahjen e studentëve në rrugëtimin e tyre akademik. Krahas kësaj, e ftuan Rektorin të marrë pjesë në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar i cili do të realizohet nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Në këtë ngjarje pritet të jenë të pranishëm profesorë të shquar dhe ekspertë të njohur të fushave përkatëse nga mbarë bota dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash dhe zgjerim të rrjetit të bashkëpunimit.
Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i falënderoi mysafirët për vizitën, mbështetjen e ofruar e për ftesën, si dhe e vlerësoi angazhimin e tyre në dobi të arsimit të lartë dhe të studentëve tanë. Njëherësh, ai potencoi se mysafirët do t’i kenë gjithmonë dyert e hapura në Universitetin e Tetovës për realizimin e çfarëdo aktiviteti apo projekti të përbashkët që do t’i shërbejë arsimit dhe shkencës.




