//Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti: Kongresi i Manastirit njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar

Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti: Kongresi i Manastirit njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar

2018-11-23T16:27:56+00:00 Nëntor 21, 2018|
Në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë e veçantë t’Jua uroj 110 Vjetorin e Kongresit të Manastirit – Alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit është padyshim njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar për mbarë popullin shqiptar, të cilit i janë referuar dhe i referohen vazhdimisht historianë, gjuhëtarë, etnologë, intelektualë shqiptarë dhe të huaj, duke synuar të hedhin dritë mbi rrethanat komplekse historike, politike dhe kulturore të periudhës së kaluar dhe të sjellin sa më shumë fakte për këtë ngjarje kaq të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar.
Rruga, e cila çoi deri në mbajtjen e Kongresit të Manastirit nga data 14-22 Nëntor 1908, ishte e mundimshme dhe përplot vështirësi. Kongresi i Manastirit ishte një kuvend mbarëkombëtar, i cili në gjirin e vet tuboi figurat më eminente të Rilindjes tonë kombëtare si: Mithat Frashërin, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Gjergj Qiriazin, Nikollë Kaçorrin, Shahin Kolonjën, Fehim Zavalanin, Mati Logorecin, Ndre Mjedën, dhe shumë të tjerë, të cilët dhanë gjithçka për unifikimin e gjuhës shqipe dhe avancimin e çështjes kombëtare.
Ne, sot, përulemi me nderimin më të madh për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 110 me radhë.
Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe, gëzuar festat e nëntorit….
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës