//Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në aktivitetet që u shënuan për nder të 49-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës

Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në aktivitetet që u shënuan për nder të 49-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës

2019-02-18T16:48:58+00:00 Shkurt 18, 2019|
Me rastin e 49-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, më 15 shkurt 2019, u mbajt konferenca e rektorëve të universiteteve publike shqiptare e titulluar “Arsimi i lartë shqiptar dhe ballafaqimi me të ardhmen”. Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili bashkë me rektorët e universiteteve publike shqiptare nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës u pajtuan për shumë çështje në interes të universiteteve.
Deklarata parasheh rritjen e autonomisë në menaxhimin e universiteteve, duke zgjeruar lirinë akademike të personelit dhe studentëve, për të kontribuuar edhe në avancimin e praktikave të prodhimit të dijes në universitete, sistemet e sigurimit të cilësisë, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për studentët, duke rritur llogaridhënien për ta dhe përfshirjen e studentëve në të gjitha hallkat e vendimmarrjes, nisur nga ndërtimi i kurrikulave deri te vendimmarrja menaxheriale. Si pika tejet të rëndësishme janë parë edhe investimet në kohë, energji dhe financa me qëllim përballimin e sfidave teknologjike të kohës, duke intensifikuar dhe optimalizuar bashkëpunimin midis universiteteve shqiptare për të forcuar edhe forumet shkencore.
Rëndësi e veçantë i është dhënë bashkëpunimit me qeveritë përkatëse për krijimin e një fondi të veçantë për shkëmbimin e studentëve dhe personelit akademik midis universiteteve publike shqiptare. Këtu parashihet të kërkohet rritje e buxhetit për arsimin e lartë në mënyrë të vazhdueshme dhe të arsyeshme si dhe të diversifikohen të ardhurat në universitete, duke bërë një ndërlidhje më të mirë me ekonomitë në përputhje me profilet përkatëse, me qëllim rritjen e kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar në projekte relevante dhe e gjitha kjo do ta bazojë punën e universiteteve në vlerat dhe përgjegjësinë më të lartë morale, etike dhe qytetare, duke nxitur dhe kultivuar në shoqëri barazinë, mosdiskriminimin dhe respektin për diversitetin, duke zbatuar parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe qasjes së barabartë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, vlerësoi se kjo deklaratë do t’u shërbejë universiteteve si një mundësi për ballafaqimin me shumë sfida. “ Përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat përballen universitetet, vlerësoj se ata e kryejnë misionin e tyre, janë në lartësinë e detyrës, që përmes arsimit e shkencës të kontribuojnë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të kombit. Janë pikërisht këto vatra të dijes, ku formohen elitat akademike të së ardhmes evropiane dhe pro-perëndimore. Na takon neve, drejtuesve të universiteteve publike shqiptare, që të punojmë pareshtur në përmbushjen e objektivave, që për kryefjalë kanë zhvillimin dhe përparimin e arsimit kombëtar, unifikimin e sistemit të lartë arsimor sipas normave evropiane, unifikimin e programeve, ekuivalentimin e diplomave universitare, shkëmbimin e përvojave, kuadrit arsimor e studentëve, si dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët. Universiteti të cilin e përfaqësoj, është i orientuar drejt vlerave evropiane dhe perëndimore, i kyçur në shumë asociacione ndërkombëtare, ka përvojën e duhur për t’i realizuar angazhimet që dalin nga Deklarata e rektorëve të universiteteve publike shqiptare dhe njëherazi shprehim mbështetjen tonë për të gjitha pikat që parashikon ky dokument sa i rëndësishëm, aq edhe i domosdoshëm për shtyrjen përpara të procesit mësimor – shkencor”- u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Pas mbarimit të konferencës së rektorëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, mori pjesë edhe në ceremoninë solemne që u mbajt për nder të 49-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”
Me këtë rast, përveç drejtuesve të Universitetit të Prishtinës, fjalë rasti në emër të rektorëve të universiteteve shqiptare mbajti Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se që nga dita e themelimit e deri sot, Universiteti i Prishtinës është shndërruar në simbol të qëndresës, në tempullin që për gjysmë shekulli e mbajti gjallë frymëzimin kombëtar për liri, demokraci dhe pavarësi. “Ne shqiptarët nuk e kemi pasur të lehtë historinë, por e vërteta është që të lirë na kanë bërë, më shumë se çdo gjë tjetër, universitetet tona. Ishin universitetet tona që u vendosën përballë diktaturave më të egra, ishin po universitetet tona që u prinë shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet. Ishte Universiteti i Prishtinës, në të cilin flaka e lirisë, edhe kur mezi dukej në trevat e tjera shqiptare, shkëlqente, ndriçonte si fanar për të ardhmen e kombit shqiptar. Me këtë rast, për këtë auditor të çmuar ua rikujtoj, se Universiteti i Tetovës, i themeluar në vitin 1994, ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta, vendosmërisë së fuqishme të intelektualëve shqiptarë nga Tetova, Prishtina e Tirana, për t’i hedhur bazat e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, në ato treva me tradita arsimdashëse dhe patriotike, ku si askund tjetër në botë, arsimi në gjuhën amtare, sidomos arsimi universitar për dekada të tëra ishte i ndaluar. Prandaj, të nderuar vëllezër e motra, studentët tanë, pedagogët dhe gjithë punonjësit e Universitetit të Tetovës ua përcjellin falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për institucionin Tuaj, i cili bashkë me Universitetin e Tiranës, na mbështeten në momentet më të vështira e deri në ditët e sotme, kur më funksionojmë si partnerë dhe bashkëpunojmë si universitete serioze bashkëkohore. Arsimi ka rolin kryesor në zhvillimin e kombeve, vlerave kulturore dhe historike, ndaj sot ne përkulemi me respekt, në shenjë nderimi për gjithë ata, që me përpjekjet e tyre realizuan ngritjen e këtij tempulli që ka për mision arsimimin, edukimin, emancipimin shoqëror, zhvillimin ekonomik dhe forcimin Republikës së Kosovës. Nderim për drejtuesit, pedagogët dhe studentët ndër vite të Universitetit të Prishtinës, që e keni ruajtur, përparuar këtë universitet si një thesar nga më të çmuarit e kombit tonë” – tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, tha se ky muaj për të gjithë shqiptarët paraqet muajin e krenarisë, sepse sot më 15 shkurt festojmë 49-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, më 17 shkurt Universiteti i Tetovës e shënon 24-vjetorin e ligjëratave të para, por mbi të gjitha, shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë, më 17 shkurt do ta festojnë 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit më të ri në botë që tashmë ka shënuar progres të qenësishëm, që ka ditur t’u bëjë ballë me urtësi, dinjitet e largpamësi shumë sfidave jetike, sfida të vështira që nuk e lëkundën në asnjë moment vullnetin e popullit të Kosovës të jetojë me dinjitet dhe në harmoni të plotë me komunitetin ndërkombëtar.