//Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të Këndit Amerikan në Tetovë

Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të Këndit Amerikan në Tetovë

2018-05-16T15:36:33+00:00 Janar 31, 2018|

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të Këndit Amerikan në Tetovë. Në shënimin e këtij viti jubilar të Këndit Amerikan në Tetovë të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, ekselenca e tij, z. Jess Baily, si dhe shumë personalitete të tjera publike.

Universiteti i Tetovës gjatë këtyre viteve ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Këndin Amerikan në Tetovë dhe bashkërisht kanë organizuar disa aktivitete me karakter edukativ, arsimor, social, kulturor e sportiv.

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për këtë bashkëpunim mes Universitetit të Tetovës, Këndit Amerikan në Tetovë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Këndi Amerikan i ndau mirënjohje Universitetit të Tetovës, respektivisht Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Mirënjohjen nga Ambasadori z. Jess Baily, në emër të Universitetit të Tetovës, e pranoi përgjegjësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare Mr. Sc. Hatibe Deari Zeqiri.

Universiteti i Tetovës ka ndërtuar bashkëpunim të shkëlqyer me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të njëjtin do ta vazhdojë edhe më tutje. Para studentëve të Universitetit tonë kanë ligjëruar edhe një numër i madh i profesorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu para stafit akademik dhe studentëve të Universitetit të Tetovës është mbajtur edhe një ligjëratë nga shkëlqesia e tij, Ambasadori z. Jess Baily, me rastin e vizitës që realizoi në Universitetin e Tetovës, gjatë së cilës u prit në takim nga Rektori ynë, Prof. Dr. Vullnet Ameti.