//Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti i priti në takim studentët e gjeneratës së parë dhe të dytë të UT-së

Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti i priti në takim studentët e gjeneratës së parë dhe të dytë të UT-së

2019-12-31T17:09:58+00:00 Dhjetor 31, 2019|
Studentët e gjeneratës së parë dhe të dytë (1994/1995,1995/1996) të Universitetit të Tetovës, më 28 dhjetor 2019, e realizuan takimin e parë mes tyre. Aktivitetin e tyre ish – studentët e filluan me homazhe para shtatores së themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani (e përuruar në 25 vjetorin e themelimit të Universitetit). Më pas, ata në amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik realizuan takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Qëllimi i këtij takimi ishte evokimi i kujtimeve, vështirësive, sakrificave dhe rrugës së vështirë me të cilën janë përballur studentët e gjeneratës së parë për realizimin e procesit edukativ – arsimor.Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij drejtuar studentëve të gjeneratës së parë dhe të dytë tha se kontributi i gjithsecilit prej tyre ka qenë vendimtar në fillimin e veprimtarisë arsimore shkencore të UT-së. Ai, studentët e gjeneratës së parë i përgëzoi për vendosmërinë e tyre që kanë treguar atë kohë për t’i ndjekur studimet në Universitetin e Tetovës. Rektori i njoftoi ata mbi ecurinë e universitetit gjatë këtyre 25 viteve. Po ashtu, ai tha se në 25 vjetorin e themelimit të UT-së, përpos ngritjes së shtatores së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, Senati ka nisur iniciativën dhe procedurën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e emrit të universitetit nga Universiteti i Tetovës të emërtohet Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”.

Më këtë rast, studentët e gjeneratës së parë dhe të dytë shprehën falënderime ndaj Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, për mikpritjen që u bëri atyre dhe bashkërisht realizuan disa fotografi para shtatores së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe lapidarit historik “Flakadani i Kujtesës”.

Takimi i studentëve të lartpërmendur u përmbyll me një darkë solemne ku morën pjesë edhe profesorë, të cilët kanë ligjëruar gjatë vitit 1994/1995.

Zyra për Informim