Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot në kabinetin e tij e priti në takim pune përfaqësuesin nacional të UNICEF-it për Maqedoninë, z. Benjamin Perks. Përveç takimit me Rektorin e Universitetit tonë, ai zhvilloi një takim të përbashkët edhe me Prorektorin për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, dekanin e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, atë të Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani dhe dekanin e Fakultetit Juridik Prof. Dr. Qebir Avziu. Në këtë takim bashkëbiseduesit diskutuan për një bashkëpunim mes UNICEF-it dhe Universitetit të Tetovës në të ardhmen, me qëllim realizimin e disa projekteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe të drejtat e tyre.
Shefi i UNICEF-it në Maqedoni, z. Benjamin Perks, pas takimeve që zhvilloi me drejtuesit e Universitetit të Tetovës para stafit pedagogjik, studentëve dhe disa nxënësve të shkollës fillore “Fan Noli” nga fshati Trebosh, mbajti një ligjëratë me temë: “Ndikimi i dhunës dhe përvojat negative të fëmijërisë në përparimin, sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë”. Gjatë kësaj ligjërate ai prezantoi disa statistika mbi dhunën ndaj fëmijëve, që janë zhvilluar kryesisht në Ballkanin perëndimor. “Me ftesën e stafit akademik të Universitetit të Tetovës i bëra vizitë këtij Universiteti për të mbajtur ligjëratën e sotme. Fillimisht realizova një takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe me disa dekanë të fakulteteve për të diskutuar gjendjen dhe mbrojtjen e fëmijëve në vend. Më pas zhvillova një ligjëratë në lidhje me dhunën. Sa i përket dhunës tek fëmijët kemi zhvilluar një hulumtim në Ballkanin perëndimor dhe statistika e përgjithshme është se një nga tre fëmijë është dhunuar fizikisht, mirëpo në vendin tuaj, në Republikën e Maqedonisë kjo përqindje është pak më e madhe. Pra, do të thotë një nga dy fëmijët është i dhunuar fizikisht. Nëse bëjmë krahasimin mes vendeve ne Ballkan, dhuna fizike tek fëmijët në Maqedoni është më e madhe se në Kosovë, por është më e vogël në krahasim me Shqipërinë. Ndërsa, sa i përket mospërfilljes së fëmijëve nga ana emocionale, është konstatuar se një nga tre fëmijët është i mospërfillur” – tha z. Benjamin Perks.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadbi Osmani, tha se fakulteti që ai drejton, por dhe disa fakultete tjera të Universitetit të Tetovës kanë potencialin e duhur kadrovik që të bashkëpunojnë me UNICEF-in dhe të bashkëngjiten në projektet e tyre të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna fizike. “Sot patëm një takim shumë të rëndësishëm me shefin e UNICEF-it në Republikën e Maqedonisë dhe ne e informuam atë në lidhje me aktivitetet, të cilat i ndërmarrim në drejtim të mbrojtjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe në veçanti u ndalëm në çështjen e arsimimit dhe të përgatitjes së fëmijëve prej institucioneve parashkollore dhe përgatitjen e tyre për në shkollë. Ne e siguruam shefin e UNICEF-it se jemi të gatshëm të realizojmë disa projekte të mëdha që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe të drejtat e tyre. Këto projekte do të jenë të sponzoruara nga UNICEF-i dhe do të realizohen nga disa fakultete të Universitetit tonë, respektivisht Fakulteti Pedagogjik, Fakulteti Filozofik dhe Fakulteti Juridik. Ne si fakultete kemi potencial kadrovik që të ballafaqohemi me këto projekte që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve, përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, sepse Fakulteti Pedagogjik tash ka edhe program studimor të veçantë kushtuar fëmijëve me nevoja të veçanta dhe përgatit kuadër për edukimin e këtyre fëmijëve” – u shpreh Prof. Dr. Fadbi Osmani.
Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për vizitën e tij në Universitetin e Tetovës, Rektori ynë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, shefit të UNICEF-it në vendin tonë, z, Benjamin Perks i ndau një dhuratë me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.