Sindikata e të Punësuarve në Universitetin e Tetovës (SPUT) dhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi e cila ka për qëllim përmirësimin e statusit të stafit akademik dhe joakademik në institucionet e arsimit të lartë në të dy vendet.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i SPUT-së Prof. Dr. Shefket Dehari dhe Kryetari i SPUSH-së Prof. Dr. Sandër Kovaçi.
Ky bashkëpunim ka objektiv ngritjen e statusit të stafit mësimdhënës dhe jomësimdhënës në universitetet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Memorandumi parashikon një gamë të gjerë aktivitetesh jopolitike dhe joqeveritare, duke u fokusuar kryesisht në: shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave në organizimin sindikal; edukimin e personelit; përmirësimin e marrëdhënieve të punës; vlerësimin e legjislacionit dhe rregulloreve; vizita reciproke; solidaritetin sindikal; ftesat për seminare dhe trajnime; transferimin e përvojave të suksesshme dhe shkëmbimin e informacionit për projekte dypalëshe dhe ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt unifikimit të përpjekjeve sindikale në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve universitarë në rajon.




