Në kuadër të manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, më 3 maj 2018, në Qendrën për Kulturë në Tetovë u shfaq koncert nga Orkestra Rinore e Shqiptarëve të Maqedonisë. Orkestra synon që në të ardhmen të jetë një bërthamë e rëndësishme e strukturës koncertale muzikore të shqiptarëve të Maqedonisë, pasi përbëhet nga instrumentistë, kryesisht studentë të drejtimit muzikor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës dhe udhëhiqej nga dirigjenti i parë orkestral i diplomuar në Universitetin e Tetovës, Premtim Etemi.

Skena e muzikës serioze shqiptare dhe Orkestra Rinore e Shqiptarëve të Maqedonisë, në këtë koncert i ndanë mirënjohje Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit, për kontributin e lartë që jep për zhvillimin e artit dhe mbështetjen e artistëve të rinj shqiptarë. Mirënjohjen ia ndau dirigjenti Premtim Etemi.

Pas marrjes së mirënjohjes, Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se me këtë jo vetëm që është nderuar kontributi i tij, por edhe roli dhe mbështetja e Universitetit të Tetovës në përgjithësi. “Kjo mirënjohje i dedikohet Universitetit të Tetovës, pedagogëve, studentëve dhe prindërve të tyre. U premtoj se Universiteti i Tetovës ka qenë dhe do të jetë përkrahës i parezervë për ngritjen e një orkestre edhe më të madhe për sa i përket muzikës serioze shqiptare në Tetovë dhe më gjerë. Në emrin tim personal dhe të Universitetit të Tetovës Orkestrës Rinore të Shqiptarëve të Maqedonisë, i uroj sukses për performancën e tyre të shkëlqyer që e shfaqën sonte dhe ne si institucion do të vazhdojmë rrugën tonë të mëtutjeshme që të rinjtë tanë të ngelen në vendin tonë, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja jonë që të krijojmë një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë” – u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti

Orkestra Rinore e Shqiptarëve të Maqedonisë mbrëmë u shfaq para publikut me një program kryesisht klasik koncertal. Koncerti u përmbyll me largimin e muzikantëve nga skena, gjë të cilën orkestra e shfaqi në mënyrë simbolike me Simfoninë e Lamtumirës nga Hajdeni.