Studentët e vitit të parë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tetovës, të udhëhequr nga Doc. Dr. Arben Halili, më 27 prill 2026, realizuan një cikël vizitash në disa subjekte relevante në Tetovë, në kuadër të zhvillimit të mësimit praktik në lëndën “Ekonomia e Ndërmarrjes”.

Vizita u konceptua si një mundësi për të afruar studentët me realitetin e funksionimit të bizneseve dhe institucioneve, duke i njohur ata me dimensionin praktik të koncepteve të trajtuara gjatë ligjëratave.

Gjatë qëndrimit në Zyrën e Avokaturës “Iseni”, studentët u informuan mbi rëndësinë e kornizës ligjore në aktivitetin ekonomik, si dhe mbi sfidat juridike që e shoqërojnë funksionimin e ndërmarrjeve. Ndërkohë, në kompaninë “Lial”, ata patën rastin të mësojnë më shumë për menaxhimin e biznesit, organizimin e brendshëm dhe mënyrat e përshtatjes në një treg konkurrues.

Aktivitetet e tilla mundësojnë integrimin e teorisë me praktikën, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale të studentëve dhe në përgatitjen e tyre për sfidat reale të tregut.