//Studentët e programit studimor të Artit Figurativ të UT-së me ekspozitë të përbashkët e përmbyllën vitin akademik 2018/2019

Studentët e programit studimor të Artit Figurativ të UT-së me ekspozitë të përbashkët e përmbyllën vitin akademik 2018/2019

2019-06-18T15:36:57+00:00 Qershor 18, 2019|
Në prag të përmbylljes së semestrit veror, në hapësirat e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 7 qershor 2019 u hap ekspozita e studentëve të këtij fakulteti, të përkrahur edhe nga profesorët e tyre. Të gjitha punimet e përzgjedhura në këtë ekspozitë janë punime të studentëve nga të gjitha programet studimore, pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik.Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Mr. Nafi Jashari tha se kjo ekspozitë, përveç se është shndërruar në tradicionale, në formën më të bukur ekspozon punën e çdo studenti që ka realizuar brenda vitit akademik. Ai tha se studentët, që nga viti i parë e deri te viti i katërt, me punimet që i paraqesin në këtë ekspozitë tregojnë për mundin dhe angazhimin e profesorëve të tyre gjatë gjithë vitit, me qëllim që ata në fund të dalin sa më të përgatitur si në pikturë, dizajn grafik, skulpturë dhe grafikë.

Në këtë ekspozitë morën pjesë profesorë, studentë, prindër dhe shumë dashamirë të tjerë të artit, të cilët patën mundësi që t’i shohin punimet e përgatitura nga vetë studentët.

Edhe këtë vit, nga ana e dekanit të Fakultetit të Arteve u ndanë mirënjohje për tre studentët më të dalluar me punimet e tyre në pikturë, grafikë dhe dizajn grafik.

Zyra për Informim