Studentët e Fakultetit Filozofik të UT-së, drejtimi Sociologji, të udhëhequr nga shefja e katedrës Doc. Dr. Mirlinda Vejseli dhe asistentja Mr. Sc. Refije Rexhepi, më 21 prill 2026, zhvilluan një vizitë studimore në Institucionin Korrektues në Tetovë.

Vizita kishte për qëllim thellimin e njohurive praktike të studentëve mbi funksionimin e sistemit korrektues dhe sfidat që lidhen me trajtimin e personave të privuar nga liria. Gjatë qëndrimit, studentët u informuan për strukturën dhe organizimin e institucionit, natyrën e veprave penale, kushtet e jetesës, si dhe programet rehabilituese që synojnë risocializimin dhe riintegrimin e të burgosurve në shoqëri.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të sociologut në këto institucione, duke theksuar rëndësinë e analizës sociologjike në kuptimin dhe adresimin e dukurive si kriminaliteti, devijanca dhe përjashtimi social.

Në përfundim të vizitës, studentët dhe stafi akademik shprehën mirënjohje për drejtorin z. Xheladin Xheladini dhe stafin e institucionit për pritjen profesionale dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke e vlerësuar këtë përvojë si një kontribut të rëndësishëm në formimin e tyre akademik dhe praktik.