Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, i Universitetit të Tetovës, më 23.4.2026, realizoi vizitë studimore në fabrikën për prodhimin dhe përpunimin e ujit “MAYA”, me qëllim avancimin e njohurive praktike të studentëve që gërshetojnë përgatitjen teorike dhe aplikimin profesional në lëmin e industrisë ushqimore dhe teknologjisë së ujit.

Në kuadër të kësaj vizite, studentët dhe stafi akademik u njohën drejtpërdrejt me proceset teknologjike të trajtimit dhe përpunimit të ujit, duke përfshirë fazat e filtrimit, kontrollit të cilësisë, si dhe zbatimin e standardeve përkatëse të sigurisë dhe cilësisë në industri.

Vizita u realizua nën udhëheqjen e Prof. Dr. Namik Durmishit, në bashkëpunim me Dr. Sc. Durim Alija dhe Mr. Sc. Rejhana Luma, të cilët kontribuuan në orientimin profesional të studentëve dhe në thellimin e kuptimit të tyre mbi aplikimin praktik të njohurive akademike.

Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga teknologu kryesor i fabrikës, njëherit ish-student i këtij fakulteti, Mr. Sc. Arsim Iseni, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar proceset teknologjike të zhvilluara në fabrikë, si dhe ndau përvojën e tij profesionale me studentët, duke ofruar një shembull konkret të zhvillimit profesional në këtë fushë.

Bashkëpunimi dhe mikpritja nga kompania “MAYA” dëshmuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit industrial, në funksion të përgatitjes së kuadrove të reja profesionale dhe konkurruese në tregun e punës.