Studentët dhe një pjesë e stafit akademik të Katedrës së Historisë në Universitetin e Tetovës, prej 24–26 prill 2026, realizuan një vizitë studimore me karakter hulumtues në disa nga qendrat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore dhe historike në Jug të Shqipërisë.
Ky udhëtim nisi në Tepelenë, vendlindjen e Ali Pashë Tepelenës, ku studentët patën rastin ta vizitonin kalanë e qytetit dhe të njihen me rolin historik të kësaj figure në zhvillimet politike të rajonit. Më tej, itinerari vijoi në Gjirokastër, qyteti muze i njohur si “Qyteti i gurtë”, i dalluar për arkitekturën e tij unike. Aty u vizituan kalaja monumentale dhe shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadaresë, duke ofruar një ndërthurje të veçantë mes historisë dhe letërsisë.
Në vazhdim, vizita u përqendrua në Sarandë, ku pjesëmarrësit vizituan Kalanë e Lëkurësit dhe më pas parkun arkeologjik të Butrinti, një ndër thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare të mbrojtur nga UNESCO.
Në këtë hapësirë unike, studentët eksploruan nga afër monumente të periudhave të ndryshme historike, si teatri antik, bazilikat paleokristiane, tempujt dhe muret rrethuese, duke kuptuar më thellë shtresëzimin e qytetërimeve në këtë zonë.
Udhëtimi vijoi drejt Vlorës, një qytet me peshë të veçantë në historinë kombëtare. Vizita në Muzeun e Pavarësisë u shndërrua në një moment reflektimi për studentët, të cilët patën mundësi të njihen me dokumente dhe artefakte që lidhen me aktin e shpalljes së pavarësisë. Programi përfshiu gjithashtu ndalesa në Sheshin e Flamurit dhe te varri i Ismail Qemalit, për të përmbyllur vizitën në Kalanë e Kaninës, një dëshmi e gjallë e historisë së hershme dhe mesjetare.
Përmes kësaj eksperience, studentet dhe pedagogët tanë thelluan njohuritë e tyre shkencore, por edhe forcuan ndjeshmërinë ndaj trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare.









