Tridhjetë studentë të Universitetit të Tetovës, në vitin akademik 2018/2019 janë kyçur në programin ndërkombëtar Erasmus +, program për edukim, trajnim, rini dhe sport, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Studentët pjesëmarrës në këtë program, semestrin dimëror dhe semestrin veror e kryejnë në universitetet prestigjioze ndërkombëtare, të Gjermanisë, Polonisë, Turqisë, Bullgarisë, Kroacisë, etj.
Përfitimet nga programi Erasmus + janë të mëdha, por mund të veçohen: përvoja unike e studimit apo e ligjërimit në Evropë; njohja për së afërmi me Evropën dhe edukimin e lartë evropian; përmirësimi i aftësive gjuhësore; përvoja multikulturore; përmirësimi i punësimit; shkëmbimi i njohurive, ideve, kontakteve, si dhe një mori përfitimesh të tjera arsimore – shkencore.
Studentët e lartpërmendur janë përzgjedhur në përputhje me rregullat për mobilitet studentor, ku kërkohet plotësimi i kritereve, siç janë: të jenë studentë të vitit të dytë dhe më lartë dhe ta njohin gjuhën angleze ose gjuhën e mësimit në universitetin nikoqir.
Erasmus +, ofron eksperienca të larmishme brenda dhe jashtë hapësirave të fakultetit, përvojë tejet interesante në jetë, një ndërthurje perfekte e studimit, njohjeve, argëtimit dhe hulumtimeve të kulturave të huaja, theksojnë studentët – shfrytëzues të këtij programi.
“Erasmus mobilitetin vendosa ta shfrytëzojë në vitin tim të fundit studimor, si absolvente e mjekësisë. Nëse e rrumbullakoj vetëm në një fjali, do të thoja se është vendimi më i mirë që kam marrë gjatë viteve studimore, kuptohet pas vendimit të parë për ta studiuar mjekësinë. Përmes këtij programi, mu dha mundësia që të zbulojë versionin tim më të mirë profesional, si një praktikante në spital, por edhe versionin modest të një studenteje që vazhdon të mësojë dhe përfitojë nga mentorët e saj akademikë. Krahas kësaj rruge të njohjes së shkathtësive profesionale, qëndrimi përmes Erasmus -mobilitetit në një shtet tjetër të përballë me sfida dhe përgjegjësi jetësore, më qartë të themi, se për ato muaj të qëndrimit tënd ti shijon një sekuencë të ardhmërisë tënde, përfiton një kuptim të pastër se çka të pret në jetë si një i rritur dhe i jep formë karakterit tënd”, thekson Fatbardha Skenderi – studente e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Ndërkaq, Diellina Mehmeti, studente e programit studimor Financa – Kontabilitet, mobilitetin studentor e ka realizuar në Universitetin e Thrakisë në Edirne, e cila shprehet se “falë programit Erasmus+, kam arritur të përjetoj jetën më të mirë studentore që çdo student do të kishte dashur ta përjetonte ndonjëherë”, dhe studentëve u rekomandon të mos ngurojnë, por të bëhen pjesë e kësaj eksperience, si një ndër kapitujt më të mirë të jetës studentore.
Përshtypjet e studentëve përgjithësisht janë pozitive, ata veçojnë vizitat në vende të ndryshme dhe njohjen e diversitetit kulturor. “Në ditët e para të mobilitetit mendoja se do të ishte shumë e vështirë për mua dhe se do të kisha shumë sfida të cilat nuk do t’i kaloja aq lehtë, mirëpo gjatë qëndrimit atje gjithçka ishte ndryshe. Kaloja ditë shumë të bukura me kolegët duke vizituar shumë vende, duke mësuar kulturën e secilit prej tyre dhe shumë gjëra të tjera, me një fjalë, mësova gjëra që as do t’i kisha imagjinuar t’i mësoja. Është një eksperiencë që do ta kujtojë gjithë jetën”- deklaron Asim Xhelili, student i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara.
Duhet theksuar se studimet jashtë vendit, studentët i vlerësojnë si një hap të madh për t’u përgatitur profesionalisht. “Studimi jashtë vendit është një hap i madh. Dalja nga zona e rehatisë nuk është gjithmonë e lehtë, por sigurisht që do të rritë aftësitë tuaja personale dhe profesionale. Programi Erasmus+, është një mundësi e mirë të përjetoni përvoja të reja, pavarësisht nëse vendosni të studioni ose të bëni një praktikë jashtë vendit. Ndoshta ju ndjeheni të shqetësuar dhe nuk mund të vendosni nëse duhet të shkoni në Erasmus, por kjo është krejtësisht normale. Pjesa më e vështirë është vendimi, por përvojat kanë dëshmuar se askush nuk është zhgënjyer”, vlerëson Drita Shaini, studente e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, e cila ka qëndruar në Fakultetin Teknik të “Yildizit” në Turqi.
Universiteti i Tetovës, që në muajin mars të vitit 2013 e ka fituar Charterin (lejen) për ERASMUS+ dhe deri më sot ka nënshkruar marrëveshje për mobilitet të studentëve, të stafit akademik dhe administrativ me 59 universitete nga 11 shtete të ndryshme të Evropës.
Përpos këtij programi, Universiteti i Tetovës është pjesëmarrës në dhjetëra programe ndërkombëtare ku promovohet paqja, multikulturalizmi dhe realizohen hulumtime serioze shkencore.

Zyra për Informim