//Studenti i Universitetit të Tetovës shpallet kampion i Evropës në kategorinë WBF

Studenti i Universitetit të Tetovës shpallet kampion i Evropës në kategorinë WBF

2021-04-19T18:17:20+00:00 Prill 19, 2021|

Boksieri i njohur nga Tetova, Lulzim Ismaili, student i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Tetovës është shpallur kampion i Evropës në boksin profesionist në kategorinë WBF, pasi në fundjavë (17.04.2021) në spektaklin e organizuar në Tetovë mposhti kundërshtarin Jasmin Dananoviç nga Bosnja dhe Hercegovina. Ismaili ishte këmbëngulës që në fillim të duelit, duke mos i lënë rast  kundërshtarit të reagojë, i cili u detyrua të dorëzohet pas raundit të katërt. Për 23-vjeçarin nga Tetova kjo ishte fitorja e 6-të në po aq ndeshje të zhvilluara në boksin profesionist.

Vetë protagonisti i duelit, boksieri Lulzim Ismaili, theksoi se gjithmonë do të japë maksimumin që edhe titujt e ardhshëm të ngelin në Tetovë. Plani i tij për të ardhmen është që të mbrojë titullin dhe t’i fitojë edhe brezat tjerë e të rangohet sa më lart në listën e boksierëve më të mirë në botë.

Për shkak të pandemisë Covid-19, edicioni i sivjetshëm u zhvillua pa praninë e publikut, ndërsa organizatorët e këtij eventi pretendojnë që traditën ta vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.

Sukseset e këtilla të studentëve tanë janë motivim për brezat e ardhshëm dhe konfirmojnë tezën se me punë dhe sakrificë mund të arrihet çdo qëllim. Universiteti ynë krenohet me Lulzim Ismailin dhe i uron suksese në vijim të karrierës, duke shpresuar se do të arrijë në majat e boksit profesionist ndërkombëtar.