Të nderuar miq,
është në detyrën tonë dhe sidomos të institucioneve që përfaqësojmë, që t’i evidentojmë dhe t’u shprehim nderimet, falënderimet dhe mirënjohjen personaliteteve, studiuesve dhe veprimtarëve që mbrojtën çështje dhe kauza të drejta.
Njëri prej tyre është edhe Prof. Dr. Branisllav Sinadinovski, për të cilin u njoftova se së fundi është ndarë nga jeta. Profesor Sinadinovski për opinionin publik është i njohur për guximin për rikonfirmimin e identitetit të tij shqiptar ortodoks me origjinë nga Reka e Epërme.
Ne si Universitet, që ka në fokus studimin, kultivimin, mbrojtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, kemi zhvilluar një bashkëpunim të frytshëm me Prof. Dr. Branisllav Sinadinovskin dhe e kemi mbështetur botimin e librit “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”, studim me vlera të larta historike-shoqërore, i cili ofron dëshmi të pakontestueshme për një çështje tejet të ndjeshme siç është ajo e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij botimi, ai la pas hulumtime disavjeçare për këtë pjesë të popullit shqiptar, i cili ashtu si edhe pjesa tjetër e shqiptarëve gjatë historisë, janë përballur me vështirësi të shumta.
Profesor Sinadinovski deri në vdekje mbrojti kauzën për të cilën besonte se shqiptarët ortodoksë në vendin tonë dhe në vendet tjera janë popull autokton që e flasin gjuhën shqipe, dhe si të tillë janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar.
Ai, e mori me vete “pengun” e (mos)themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe mbajtjen e meshës në gjuhën shqipe, prandaj mbetet në detyrën e studiuesve të tjerë që ta realizojnë edhe këtë synim madhor.
Ne i jemi thellësisht mirënjohës për kontributin e çmuar në zbardhjen e së vërtetës për bashkëkombësit tanë ortodoksë dhe njëherazi shprehim ngushëllimet tona familjes së tij, miqve, kolegëve dhe mbarë komunitetit shqiptar ortodoks.

U prehtë në paqe!

Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës