Në ambientet e Universitetit të Tetovës, nën organizimin e Sindikatës së të punësuarve në UT, më 2 korrik 2025, u mbajt me sukses turneu i shahut me pjesëmarrjen e 30 të punësuarve nga njësitë akademike dhe administrative të universitetit.

Turneu u zhvillua në një atmosferë sportive, duke përçuar frymën e garës dhe të bashkëpunimit mes kolegëve. Ndeshjet u luajtën në shtatë xhiro, sipas sistemit zviceran të garimit.

Pas përfundimit të të gjitha xhirove, fitues i turneut u shpall prof. Bekim Sulejmani, vendi i dytë i takoi prof. Sahmedin Saliut, ndërsa vendin e tretë e fitoi z. Nizam Xhemaili.

Për tre fituesit u ndanë çmime të veçanta, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u nderuan me mirënjohje, në shenjë respekti dhe vlerësimi për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë aktivitet.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve u realizua nga këshilli organizues i përbërë nga z. Florian Nesimi, prof. Shefket Dehari, z. Ali Salihi dhe z. Ramadan Osmani.

Ky aktivitet sportiv është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Sindikatës për të nxitur bashkëpunimin, mirëqenien dhe ndërlidhjen sociale në mes të punësuarve në Universitetin e Tetovës.