Universiteti i Tetovës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së RMV-së sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me qëllim forcimin e partneritetit institucional dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, duke vendosur një kornizë për bashkëpunim afatgjatë ndërmjet dy institucioneve.
Qëllimi i këtij memorandumi është krijimi i një partneriteti që do të mundësojë shfrytëzimin e burimeve shkencore, profesionale dhe institucionale, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit me Qendrën e Resurseve për mbështetjen e komunave.
Në kuadër të marrëveshjes, palët janë dakorduar për shkëmbim të përvojave dhe informatave, zhvillim të kapaciteteve përmes trajnimeve, seminareve dhe punëtorive, si dhe për ofrimin e mbështetjes shkencore dhe profesionale nga ekspertët universitarë për njësitë e vetëqeverisjes lokale. Po ashtu, marrëveshja parasheh përfshirjen e studentëve dhe ekspertëve në aktivitetet e Qendrës së Resurseve, shkëmbimin e praktikave të mira, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte vendore dhe ndërkombëtare.
Një theks i veçantë i kushtohet edhe mbështetjes së proceseve të digjitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve, si dhe organizimit të përbashkët të konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera profesionale e shkencore.
Palët nënshkruese do t’i koordinojnë aktivitetet e tyre për paraqitje të përbashkët në vend dhe jashtë tij, ndërsa për realizimin konkret të projekteve do të lidhen marrëveshje të veçanta.
Memorandumi është nënshkruar në Shkup dhe hyn në fuqi nga dita e nënshkrimit, ndërsa është i vlefshëm për një periudhë të pacaktuar, me mundësi ndryshimi apo ndërprerjeje në përputhje me procedurat e parashikuara.
Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe institucioneve publike, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim lokal dhe avancim të kapaciteteve institucionale.






