//Universiteti i Tetovës e shënoi 7 Marsin- Ditën e Mësuesit

Universiteti i Tetovës e shënoi 7 Marsin- Ditën e Mësuesit

2019-03-07T17:11:50+00:00 Mars 07, 2019|
Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, me një akademi solemne e shënoi 7 Marsin, Ditën e Mësuesit. Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Fatbi Osmani, në fjalën e tij përshëndetëse, kujtoi sakrificën dhe kontributin rilindësve dhe të gjithë veteranëve të arsimit dhe shkollës shqipe. “Kontributi dhe sakrifica për shkollën dhe arsimin shqip, padyshim na bëjnë të jemi më të përgjegjshëm edhe në punën tonë profesionale dhe shkencore. D.m.th. përveç shënimit solemn të kësaj ngjarjeje historike, ne njëkohësisht i shqyrtojmë përgjegjësitë për veprimet tona, për atë sa jemi të hapur dhe pozitivë, sa jemi transparentë, të ndërgjegjshëm dhe konstruktivë, duke mos lënë anësh nevojën e të manifestuarit të qasjeve dhe përgjegjësive më të shtuara institucionale mes realizuesve të veprimtarisë mësimore dhe shkencore dhe në veçanti në punën tonë të përditshme me studentët”, tha Prof. Dr. Fatbi Osmani
Ndërsa, profesori Doc. Dr. Lulzim Memedi, në referatin tematik kushtuar kësaj date tha që këto ngjarje, ndonëse janë larg kohës së sotme, prapëseprapë kujtohen me krenari. “Të mësuarit në shqip do të drejtonte kombin kah qytetërimi i lartë, qytetërimi që do të arrihej vetëm përmes arsimimit. Mu për këtë, një ndërgjegje e zgjuar, asnjëherë nuk mund ta lerë të qetë njeriun që do të synonte ta bëjë më të mirën për fëmijët popullit të vet. Edhe Fakulteti Pedagogjik ka për synim përgatitjen e mësuesve të aftë profesionalisht me formësim të plotë pedagogjik, të cilët do të jenë model për nxënësit” , u shpreh Doc. Dr. Lulzim Memedi.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm me Fakultetin Pedagogjik, dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Fatbi Osmani, ndau mirënjohje për disa institucione edukative-arsimore.
Zyra për Informim