Sot, Universiteti i Tetovës e mirëpriti një grup studentësh dhe profesorësh nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Administratës i Universitetit të Lodzit nga Polonia, të cilët ishin pjesëmarrës në projektin ndërkombëtar “EU Aspirations Exchange: Learning from a Candidate Country”, që realizohet në kuadër të mobilitetit të dytë të projektit i cili synon të sjellë perspektiva të ndryshme mbi Evropën dhe Bashkimin Evropian.
Fillimisht ata u takuan me Prorektorin për Shkencë të UT – së, Prof. Dr. Agon Memeti, i shoqëruar nga Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri dhe Mr. Sc. Donika Kamberi nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Gjatë këtij takimi, delegacioni nga Polonia u njoh me historikun dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, programet e studimit dhe veprimtarinë akademike e shkencore të tij, me theks të veçantë në Fakultetin Juridik.
Më pas, aktiviteti vazhdoi në ambientet e Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik, ku profesorët e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Fatmir Xheladini, prodekania për shkencë dhe koordinatorja e Klinikës Juridike, Doc. Dr. Njomza Selimi dhe Prof. Dr. Vlona Pollozhani, mbajtën prezantime dhe diskutuan mbi integrimin evropian, identitetin, vlerat, të drejtën evropiane, si dhe sfidat dhe perspektivat e vendeve kandidate në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Profesorët dhe studentët nga Polonia, po ashtu e vizituan kampusin e Universitetit të Tetovës, ku patën mundësi të njihen me ambientet dhe infrastrukturën universitare, si dhe të shkëmbejnë përvoja me përfaqësuesit e Universitetit.
Ky projekti bashkon të rinj nga Polonia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Maqedonia e Veriut, si vend kandidat, duke krijuar hapësirë për dialog, shkëmbim ndërkulturor mbi të ardhmen e përbashkët evropiane.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet fuqizimi i të rinjve si qytetarë të informuar, kritikë dhe aktivë në proceset demokratike dhe shoqërore.












