Shoqata e Psikologjisë Sociale Shqiptare më 17 prill 2026 realizoi një takim pune në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, duke mbledhur një numër të konsiderueshëm studiuesish nga lëmi i psikologjisë sociale në hapësirën shqiptare.
Në këtë takim morën pjesë profesorë të psikologjisë sociale nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Luigj Gurakuqi”- Shkodër, Universiteti “Aleksandër Moisiu” – Durrës dhe Universiteti AAB nga Republika e Kosovës, gjë që e shndërroi këtë takim, në një tryezë të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe ideve shkencore.
Pjesëmarrësit u pritën nga Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, si dhe shefi i programit studimor të Psikologjisë, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe të rrjetëzimit ndëruniversitar për zhvillimin e mëtejshëm të shkencës dhe arsimit të lartë.
Gjatë takimit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor, u zhvilluan diskutime mbi prioritetet kërkimore në fushën e psikologjisë sociale, sfidat bashkëkohore dhe mundësitë për projekte të përbashkëta. Vëmendje e veçantë iu kushtua harmonizimit të aktiviteteve shkencore dhe ndërtimit të një agjende të përbashkët kërkimore. Në përfundim të takimit, u hartua një plan konkret veprimi për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të Shoqatës së Psikologjisë Sociale Shqiptare, i cili përfshin konferenca shkencore, projekte kërkimore dhe iniciativa për përfshirjen e studentëve në këto procese.
Ky takim, është hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe funksionalizimit të një rrjeti të qëndrueshëm akademik në hapësirën shqiptare, duke kontribuuar në avancimin e psikologjisë sociale si disiplinë dhe në rritjen e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor.





