Në një atmosferë impozante Universiteti i Tetovës, më 29 qershor 2024, i promovoi absolventët e gjeneratës 2023/2024. Kjo ngjarje e veçantë për absolventët, të cilët me punë dhe me përkushtim e arritën këtë moment historik, u përcoll nga mijëra prindër dhe familjarë të cilët kishin ardhur për ta përjetuar këtë aktivitet emocionues bashkë me bijtë dhe bijat e tyre.
Ceremoninë e hedhjes së kapelave e shpalli të hapur Kryetari i Senatit i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti i cili tha se përjetësisht do t’u tregojë brezave se sa e vështirë ka qenë rruga deri tek dija e drita, sa e vështirë ka qenë përpjekja për të mos e lënë copëtimin në thellësi, të këtij projekti kombëtar që e mban gjallë indin dhe se arritjet e Universitetit të Tetovës, i kanë kaluar të gjitha caqet e parafytyrimit të tij e prandaj, ai i qaset historisë nga rrënjët dhe jo nga degët. “I qasem historisë nga themeluesi Prof. Dr. Fadil Sulejmani që qëndron edhe sot përpara jush, statuja e të cilit edhe sot tregon mision dhe vision. Kësisoj, ju ftoj edhe ju të lexoni dhe ta mësoni historinë përmes shembujve, sepse në historinë tonë kombëtare të rralla janë momentet dhe shembujt e triumfit – Universiteti i Tetovës është një nga ato momente. Universiteti ynë ka qenë dhe do të mbetet një vatër e diturisë dhe e përparimit. Ne kemi punuar pa u lodhur për t’ju ofruar jo vetëm një edukim cilësor, por edhe një mjedis ku mund të rriteni si individë dhe si qytetarë të përgjegjshëm me vetëdije për obligimet që na presin, sepse bota nuk është krijuar duke marrë por duke dhënë – me këtë filozofi është krijuar edhe Universiteti, andaj është kaq i shenjtë për ne, Universiteti i Popullit!” – u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në programet studimore të UT-së, është i konsiderueshëm numri i studentëve të cilët i kanë mbaruar studimet me mesatare të lartë, ndërsa të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan studentët Meriton Ibrahimi, nga programi studimor Informatikë dhe studentja Fatjona Karpuzi nga programi studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Fjalimin kryesor dhe përmbyllës të kësaj ceremonie e mbajti Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili këtë moment e cilësoi si historik e të veçantë, pasi përkon me vitin jubilar të themelimit të Universitetit të Tetovës i cili për 30 vjet, si vatër e arsimit u shërben brezave të rinj nga trojet etnike shqiptare në vendin tonë e më gjerë. “Universiteti i Tetovës është shndërruar në tempullin e edukimit, arsimimit dhe përparimit mbarëkombëtar, por përparimi i studentëve tanë ka qenë e vazhdon të mbetet arritje mbi arritjet, sukses mbi sukseset. Absolventët tanë, me diplomimin e tyre në Universitetin e Tetovës, janë dëshmi e seriozitetit të këtij institucioni, që me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë, synon progresin kolektiv në botën e shkencës dhe aspiron drejt një të ardhmeje të ndritur për këta emra, që herët ose vonë, do të dëgjohen si histori suksesi, në një audiencë edhe më të madhe se kjo e sotmja, në institucione të ndryshme brenda shtetit dhe në arenën ndërkombëtare, nga Brukseli deri në Uashington.” – theksoi mes tjerash Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Kjo ngjarje e madhe për absolventët tanë, u përmbyll me një program të pasur artistik me ç’rast para absolventëve performoi profesori i Fakultetit të Arteve, këngëtari Bajramali Idrizi.