Universiteti i Tetovës merr pjesë në Panairin V mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që po mbahet në Tiranë (22–24 prill 2026), duke e konfirmuar rolin e tij në zhvillimin dhe promovimin e dijes shkencore në hapësirën shqiptare.
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Universiteti i Tetovës u prezantua me dy botime me vlerë të veçantë: librin “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë së Veriut” dhe revistën shkencore “Filologjia”, duke paraqitur para publikut kontribute konkrete në studimet albanologjike dhe filologjike.
Gjatë promovimit të librit, dekania e Fakultetit të Filologjisë në UT, Prof. Dr. Emine Shabani, e paraqiti recensionin e veprës “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, të përgatitur nga Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, Prorektor për Shkencë në Universitetin e Tetovës. Me këtë rast u theksua se kjo vepër përfaqëson më shumë se një studim shkencor; ajo është një përpjekje për të ndriçuar një dimension të rëndësishëm të identitetit shqiptar, shpesh të lënë në margjinat e studimeve.
Sipas tij, trajtimi i historisë dhe identitetit të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoninë e Veriut ndihmon në kuptimin më të thellë të kompleksitetit të identitetit kombëtar, duke e parë atë si një mozaik të pasur kulturor dhe historik, ndërkaq vepra synon të nxisë reflektim dhe dialog, duke kontribuuar në ndërtimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse ndaj historisë dhe identitetit shqiptar, në një kontekst rajonal shpesh të ndërlikuar.
Në vijim të veprimtarisë, Prof. Dr. Emine Shabani e prezantoi edhe revistën shkencore “Filologjia”, duke veçuar rolin e saj si një platformë të konsoliduar për publikimin e kërkimeve shkencore në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës. Ajo theksoi se revista, e themeluar në vitin 2013, ka arritur të ndërtojë një profil shkencor, falë standardeve të larta shkencore dhe procesit rigoroz të vlerësimit nga recensentë ndërkombëtarë.
“Filologjia” gëzon indeksim në databaza të njohura ndërkombëtare, si Google Scholar, EBSCO dhe ERIH PLUS, duke siguruar dukshmëri dhe ndikim të gjerë në komunitetin shkencor. Në këtë kontekst, u theksua se objektiv i vazhdueshëm mbetet rritja e mëtejshme e cilësisë dhe përfshirja në databaza prestigjioze si Scopus dhe Web of Science.
Përmes këtyre botimeve dhe dhjetëra të tjerave, Universiteti i Tetovës kontribuon në avancimin e kërkimit shkencor, duke u shndërruar në një qendër komunikimi ndërmjet institucioneve akademike shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në këtë panair nuk është vetëm një prezantim institucional, por një dëshmi konkrete e rolit të Universitetit të Tetovës si një qendër e rëndësishme e dijes, në funksion të zhvillimit kulturor dhe shkencor të shoqërisë.





