“E nderuara familje Sela, në këto ditë të vështira, të gjithë jemi bashkë me Ju, për ta ndarë dhimbjen e madhe për njeriun tuaj më të dashur, dhimbje që na ka prekur të gjithë neve në Universitetin e Tetovës. Profesoresha Florë u nda prej nesh si mësimdhënëse e arsimit sipëror në gjuhën shqipe, si njëra nga ligjërueset e respektuara në institucionin tonë, duke na lënë kujtimin më të mirë, sidomos neve që patëm nderin ta kemi në stafin akademik. Si ligjëruese në Katedrën e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Flora Sela – Kastrati, ndër vite ka dhënë kontribut të çmuar për edukimin e gjeneratave të tëra, sikundër ka zhvilluar aktivitete të shumta si veprimtare e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare” – tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Për jetën dhe veprën e së ndjerës Prof. Dr. Flora Sela – Kastrati foli Dekani i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Ibish Kadriu i cili njëherit para të pranishmëve evokoi kujtime si nga jeta studentore ashtu edhe nga ajo akademike. “Prof. Dr. Flora Sela – Kastrati, ishte një studiuese, profesoreshë universitare, poete, shkrimtare, veprimtare e barazisë gjinore, mbrojtëse e çështjes kombëtare, analiste e mprehtë e problemeve sociologjike e filozofike, mikesha e të gjithë atyre që e njihnin, familjare e mirë. Befas na u largua nga kjo jetë, në një moshë ende të re, kur kishte akoma për ti dhënë shkencës, popullit dhe familjes së saj. Jeta shpeshherë bën të sajën, pa pyetur për dëshirat e njerëzve të shumtë që donin ta kishin pranë profesoreshën Flora edhe për shumë vite tjera.” – shtoi Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Në emër të familjes Sela, të pranishmëve në këtë mbledhje me një fjalë falënderuese u drejtua babai i së ndjerës, z. Idris Sela. “Do të isha shumë i kënaqur që në këtë takim, sot me Ju të ishte në mesin tuaj edhe bija ime, profesoresha Flora, por Zoti e deshi dhe e mori, edhe përkundër përpjekjeve tona që të shërohet, por qe një sëmundje e rëndë dhe me emrin e Zotit shkoi dhe u nda nga ne. Unë jam shumë krenar me fjalët e Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ametit dhe Dekanit Prof. Dr. Ibish Kadriu i cili ka qenë edhe njëri nga miqtë më të mirë të vajzës sime. Dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time dhe të familjes, për Rektoratin e Universitetit të Tetovës dhe për të gjithë profesorët dhe studentët si dhe myftiun e Myftinisë së Tetovës Prof. Dr. Qani Nesimin i cili është edhe profesor në Universitetin e Tetovës për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e varrimit të bijës sonë. Po ashtu dua të falënderoj Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ametin dhe ekipin e tij për organizimin e mbledhjes komemorative për ta kujtuar jetën dhe veprën e bijës sime tani më të ndjerë” – u shpreh z. Idris Sela.
Prof. Dr. Flora Sela- Kastrati u lind në Strugë më 6 gusht 1961. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Studimet universitare për filozofi- sociologji në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, Fakulteti Filozofik. Në vitin 1992 në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), me sukses mbrojti temën e magjistraturës: “Pikëpamjet e Korshit mbi historinë” dhe fitoi titullin Magjistër i shkencave shoqërore-humanitare nga Filozofia bashkëkohore. Flora Sela-Kastrati gjatë vitit akademik 2000/2001, ka kryer specializim në Institutin Ndërkombëtar për Administratë Publike në Paris (Francë), në lëmin e Administratës Publike dhe Diplomacisë. Në vitin 2007 e mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në Institutin për kërkime sociologjike, politike e juridike në temën: “Zhvillimi i demokracisë lokale dhe bashkëpunimi ndërkufitar sipas standardeve të Këshillit të Evropës”. Prof. Dr. Flora Sela Kastrati e zotëronte rrjedhshëm krahas gjuhës amtare edhe gjuhët sllave, gjuhën angleze dhe gjuhën frënge. Në periudhën 1982/1992 ka punuar si asistente, e më vonë si ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1994/1997 ka punuar si mësimdhënëse e Filozofisë në Universitetin e Tetovës, Fakultetin Filozofik. Ajo u nda nga jeta më 24 mars 2018.