Universiteti i Tetovës më 4 shtator 2026, përmes Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, u përfaqësua në ceremoninë prestigjioze “Unaza e Inxhinierit” 2026, një ngjarje që vë në pah arritjet, potencialin dhe perspektivën profesionale të gjeneratës së re të inxhinierëve dhe arkitektëve.
Në mesin e laureatëve të përzgjedhur nga universitetet shtetërore të vendit ishte edhe Arbana Kasami, e nominuar nga programi studimor Arkitekturë i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës. Përfaqësimi i saj në këtë ceremoni përbën një vlerësim të rëndësishëm për rezultatet dhe potencialin e studentëve të Universitetit të Tetovës, si dhe për punën akademike dhe profesionale që zhvillohet në kuadër të Fakultetit.
Në ceremoninë kushtuar laureatëve morën pjesë dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, si dhe prodekanët Prof. Dr. Shinasi Zejneli dhe Prof. Mr. Burim Ukiçi, duke përcjellë mbështetjen institucionale ndaj studentëve të dalluar dhe angazhimin e Fakultetit për promovimin e tyre në hapësirat profesionale.
Ngjarja u zhvillua në prani të Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Gordana Siljanovska-Davkova, Ministrit të Transformimit Digjital, Mr. Stefan Andonovski, kryetarit të Institucionit të Inxhinierëve të Maqedonisë, Dr. Andrej Lepavcov, dhe kryetarit të Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar, Mr. Dejan Metikosh.
Gjatë takimit me laureatët u diskutua për rolin që brezi i ri i profesionistëve ka në zhvillimin e ardhshëm të vendit, si dhe për rëndësinë e dijes, profesionalizmit dhe inovacionit në përballjen me sfidat bashkëkohore. Laureatët i prezantuan planet e tyre për të ardhmen profesionale dhe ndanë pikëpamjet e tyre për sfidat që i presin të rinjtë pas përfundimit të studimeve, veçanërisht në drejtim të punësimit, zhvillimit profesional dhe krijimit të kushteve që kuadrot e reja të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe tema me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e vendit, ndër të cilat arkitektura publike dhe planifikimi cilësor i hapësirës, zhvillimi i qendrave të të dhënave, realizimi i projekteve të planifikuara, zgjerimi i kapaciteteve fotovoltaike, si dhe sfida e emigrimit të inxhinierëve dhe profesionistëve të rinj.
Pjesëmarrja e Arbana Kasamit në mesin e laureatëve të “Unazës së Inxhinierit” është një moment i rëndësishëm për Fakultetin e Shkencave të Zbatuara dhe Universitetin e Tetovës, duke dëshmuar potencialin e studentëve të tij dhe përgatitjen e tyre për t’u përballur me kërkesat e profesionit dhe sfidat e zhvillimit bashkëkohor.
Në këtë drejtim, Universiteti i Tetovës do të vazhdojë të investojë në formimin cilësor të studentëve, të mbështesë talentet dhe të promovojë ekselencën akademike e profesionale, duke krijuar mundësi që të rinjtë ta shndërrojnë dijen dhe kompetencat e tyre në kontribut konkret për shoqërinë dhe zhvillimin e vendit.
“Unaza e Inxhinierit” mbetet një simbol i dijes, profesionalizmit, nderit dhe përgjegjësisë që mbart profesioni i inxhinierit dhe arkitektit. Përfaqësimi i Universitetit të Tetovës në këtë ceremoni është një dëshmi e vlerësimit të studentëve të tij dhe e përkushtimit të vazhdueshëm të institucionit për të formuar profesionistë të rinj të gatshëm për të ndërtuar të ardhmen.





