Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Nasir Bexheti, tha se fakulteti që ai e drejton në përpikëri i ndjek rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Qëllimi është të jepet një mesazh i caktuar nga OBSH-ja deri tek opinioni për mënyrën dhe preventimin e sëmundjeve orale, respektivisht higjienës orale, faktorët e rrezikut të cilët sjellin deri te patologjitë e ndryshme të shëndetit oral si dhe përcjellja e mesazhit në opinion për mënyrën e rregullativës për mbrojtje të shëndetit oral” – tha Prof. Dr. Nasir Bexheti.
Gjatë prezantimit të ligjëratës profesionale me temë: “Mendo gojën, mendo shëndetin” Doc. Dr. Kenan Ferati tha se ai së bashku me studentët kanë marrë një fushatë sensibilizuese kushtuar shëndetit oral ngase goja është një pasqyrë e trupit dhe ofron shenja për shëndetin e përgjithshëm. Ditëve në vijim do të realizojnë takime me nxënësit me qëllim qe edhe ata të informohen rreth mirëmbajtjes dhe pasojave të shëndetit oral. “Dëshira jonë është që shëndeti oral të jetë në nivel më të lartë, siç është në shtetet skandinave Suedi, Norvegji, Zvicër dhe në shtetet tjera evropiane, mirëpo në përkujdesjen e shëndetit oral, rol kyç luan edhe statusi social dhe ekonomik. Shtresat sociale kanë një përkujdesje më të ulët të shëndetit oral. Ne, në të ardhmen mendojmë të bëjmë edhe një program nacional kushtuar shëndetit oral dhe të realizojmë disa statistika mbi sëmundjet orale” – tha Doc. Dr. Kenan Ferati
Po ashtu, në këtë ligjëratë u tha se shëndeti oral dhe shëndeti i përgjithshëm kanë marrëdhënie të ndërlidhur, ngase sëmundjet e gojës mund të ndikojnë në jetë në çdo pikëpamje, nga marrëdhëniet ndërpersonale dhe vetëbesimin deri në shkollë, punë madje edhe në shijimin e ushqimit. Mes tjerash u tha se prindërit duhet të kujdesen për shëndetin oral të fëmijëve dhe t’i motivojnë ata që të kujdesen për dhëmbët gjatë jetës së tyre.