Universiteti i Tetovës, me një ceremoni solemne, duke respektuar të gjitha masat anti-covid e shënoi 26-vjetorin e themelimit të tij. Për nder të kësaj dite fillimisht u bënë homazhe tek busti i rektorit të parë dhe historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe Flakadani i Kujtesës për të nderuar kontributin e çdo shqiptari që ka dhënë për çështjen kombëtare.
Në manifestimin qendror, që u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit të pranishëm ishin një numër i madh personalitetesh nga vendi ynë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Pas intonimit të himnit të universiteteve, akademinë solemne e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Sipas tij 26 vjet më parë, më 17 dhjetor 1994, u themelua universiteti i parë në gjuhën shqipe në vendin tonë – Universiteti i Tetovës. “Ky ishte vit i kthesës së madhe historike për arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Kjo datë hapi dritare të reja perspektive për mijëra të rinj e të reja dhe krijoi mundësi për breza studentësh e profesorësh, të cilët morën përsipër misionin më fisnik për zhvillimin e arsimit dhe shkencës në gjuhën tonë amtare. Shoqëritë e botës së qytetëruar, që lartësohen mbi vlerat supreme të lirisë dhe të demokracisë, kanë parë tek universitetet përparimin njerëzor, qytetar e kombëtar. Besoj se Universiteti ynë, me punën dhe veprimtarinë e tij gati tridhjetëvjeçare, i ka përligjur pritjet e shoqërisë sonë, të cilës i ka shërbyer me devotshmëri e përkushtim të pashoq në arsimimin dhe përgatitjen profesionale të mijëra kuadrove profilesh të ndryshme. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar periudha antagonizmash, përplasjesh, konfliktesh dhe paqartësish të shumta. Janë përballur me probleme që nuk i shërbenin paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm në rajonin ku jetojmë e veprojmë. Zgjidhja për fashitjen e këtyre problemeve gjendet tek emancipimi dhe arsimimi i mirëfilltë. Vetëm nëpërmjet tyre mund të tejkalohen dallimet, paragjykimet dhe pengesat mes popujve dhe shoqërive. Vlerësojmë se Universiteti i Tetovës ka dhënë kontribut të pamohueshëm dhe ka vepruar institucionalisht në shembjen e këtyre mureve, që për disa dhjetëvjeçarë e bllokuan zhvillimin dhe përparimin e vendit. Universiteti i Tetovës në vend të mureve ka ngritur ura bashkëpunimi, afrimi, mirëkuptimi dhe këmbimi të përvojave të ndryshme. Në të gjitha kohët, për të gjitha situatat, konstatohet me të drejtë se gjithçka e mirë që vjen për njerëzimin e ka burimin tek universitetet, që pavarësisht gjithçkaje vazhdojnë të mbeten pika e referimit për një të ardhme më të mirë. Në këtë botë të pasigurt, kur njerëzimin e bren brenga e përbashkët dhe e trazon sfida shëndetësore e shkaktuar nga pandemia Covid – 19, universitetet në mbarë botën i aktivizuan të gjitha kapacitetet arsimore dhe hulumtuese në dobi të njeriut. Edhe Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, stafit akademik, mjekëve tanë, që në ditët e para të shpalljes së pandemisë, u angazhua në vijën e parë të betejës kundër armikut të padukshëm. Edhe dymbëdhjetë njësitë tjera akademike, përkatësisht fakultetet tona, kontribuuan në forma të ndryshme, duke organizuar aktivitete online për sensibilizimin e opinionit publik për t’i respektuar masat kundër përhapjes së Covid – 19” tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai më tej tha se përballë kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme kemi bërë të pamundurën që procesi arsimor – shkencor, për asnjë çast, të mos vihej në pikëpyetje duke realizuar një sërë aktivitetesh përmes versionit online me qëllim të ruajtjes së distancës dhe mbrojtjes nga Covid19.
Sipas tij krahas realizimit të procesit mësimor –shkencor dhe veprimtarive të tjera, që kanë për synim zhvillimin dhe modernizimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kemi vijuar me investimet kapitale në infrastrukturën e përgjithshme të Universitetit tonë dhe të shumë veprimtarive të tjera. “Në vigjilje të 7 – Marsit, Ditës së Mësuesit, (5 mars 2020), Universiteti i Tetovës, me vendim të Këshillit të Rektoratit, Shkollës fillore periferike “Vasil Glavinov” në fshatin Buzallkovë të Komunës së Velesit i dorëzoi një donacion – inventar me pajisje teknike. Me mbështetjen e qeverisë së vendit tonë, investimi i fundit që e kemi realizuar është rikonstruktimi i objekteve të disa njësive akademike, përkatësisht: Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Fakulteti i Kulturës Fizike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe Fakulteti i Arteve. Ky investim, i ka transformuar plotësisht ambientet akademike, administrative dhe atyre të shërbimeve higjienike-sanitare. Këtë vit, Senati i Universitetit të Tetovës solli vendim për pranimin e donacionit – ndërtim i pushimores “Drurët binjakë” në parkun e Universitetit të Tetovës, nga zotëri Servet Memishi. Në këtë përvjetor të radhës, Universiteti i Tetovës është kujdesur që t’i shënojë, evidentojë shtëpitë, objektet, godinat e bashkëqytetarëve tanë në të cilat u mbajtën ligjëratat e para. Përmes vendosjes së mbishkrimeve në shtëpitë (mësonjëtoret) ku u mbajtën ligjëratat e para dhe aktivitetet tjera, ne pronarëve të tyre u shprehim mirënjohjen e përjetshme për kontributin e dhënë për realizimin e veprimtarisë arsimore – shkencore të Universitetit të Tetovës deri në zyrtarizimin e tij në vitin 2004. Për ne, drejtuesit, profesorët dhe studentët e Universitetit tonë, i paharrueshëm mbetet edhe kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lidhet me momentet kyçe për ekzistencën e këtij institucioni të arsimit të lartë. Sigurisht, këtu duhet të theksojmë mbështetjen e Presidentit të Ligës Shqiptare-Amerikane, Joseph Dioguardi, në fillimin e ligjëratave të para të UT-së, në vitin 1995. Kontributin e Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, zotin Benjamin Gilman, i cili në vitin 1996, në Kongresin Amerikan e prezantoi rezolutën numër 103 për të garantuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe njohjen zyrtare të Universitetit të Tetovës. Një tjetër moment po i rëndësishëm në marrëdhëniet shqiptare-amerikane ka të bëjë me hapat e parë të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës, i cili Marrëveshjen e parë për bashkëpunim e ka firmosur me një universitet amerikan, Universitetin “George Uashington”, më 10 shkurt të vitit 1995” – shtoi më tej Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në përmbyllje të fjalës së tij Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se për çdo përvjetor të Universitetit, ne u shprehim mirënjohjen tonë figurave eminente nga fusha të ndryshme, sidomos e ndiejmë për obligim që t’i nderojmë personalitetet të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar për shoqërinë dhe mbështetjen e Universitetit të Tetovës ndër vite. “Në këtë drejtim, Universiteti ynë deri më tani ua ka ndarë titullin: Doctor Honoris Causa, personaliteteve të dëshmuara në lëmi të ndryshme, ndërsa sot ky titull i rëndësishëm me motivacionin: për kontributin dhe meritën e jashtëzakonshme në mbrojtje të çështjes dhe vlerave kombëtare, për angazhimin e përhershëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, për orientimin drejt vlerave perëndimore dhe për mbështetjen e përhershme të Universitetit të Tetovës, do t’i ndahet z. Ali Ahmeti. Në mbyllje të fjalës sime më lejoni të theksoj se Universiteti ynë, tashmë hapëron drejt dhjetëvjeçarit të tretë, me vendosmërinë, vizionin dhe frymën e rilindësve dhe iluministëve të kombit tonë. Ky vizion i ka rrënjët në sakrificën e dëshmorit të arsimit shqip, Abdilselam Eminit, dëshmorëve tjerë të kombit, gjeneratave të para, kontributin e përjetshëm të themeluesit dhe Rektorit historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, korifeut të kombit shqiptar, njeriut që sakrifikoi gjithçka për arsim e dituri. Si i tillë ai është rilindësi modern i shqiptarëve të vendit tonë dhe më gjerë” kështu përfundoi fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Akademinë për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës me praninë e tij e nderoi edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi. Ai në cilësinë e Kryetarit të dhomës ligjvënëse, u shpreh se edhe krahas vështirësive dhe pengesave me të cilat ballafaqohemi për shkak të përplasjeve politike do të vazhdojmë të kërkojmë dhe ndryshojmë zgjidhjet ligjore në fushën e arsimit, duke i pasur dyert hapur për kontributin e profesionistëve dhe vetë studentëve që të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme që edhe universitetet tona të ecin në hap të njëjtë me universitetet botërore. “Gjatë kësaj, autonomia universitare do të jetë udhërrëfyesi kryesor, por, në të njëjtën kohë, do e kemi ndërmend pavarësinë financiare dhe kadrovike të universiteteve sepse, nuk mund të ketë autonomi të vërtetë pa i pasur dy të fundit. Profesorë dhe arsimdashës, ligjërues të nderuar në këtë universitet, detyra juaj nuk është e lehtë dhe aspak naive, përkundrazi, është tejet fisnike dhe konsideroheni prindër të këtyre fidanëve të rinj dhe përkushtimi juaj ndaj tyre do të japë rezultate të dukshme dhe të matshme që në fund, do të jenë shpërblimi që do ju nderojë ju dhe punën tuaj të palodhshme” – theksoi mes tjerash Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi.
Në emër të qeverisë së Maqedonisë së Veriut të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti Zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi. Ai theksoi se laureati i titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, z. Ali Ahmeti, është trashëgues i fundit i denjë i frymës së ideologut shtetformues dhe të rilindjes kombëtare. “Një personalitet të tillë me një jetë të tërë kushtuar kombit dhe barazisë, demokracisë dhe integrimit, arsimit dhe zhvillimit, të drejtave dhe dinjitetit, duke tretur vetën për të tjerët, rrallë lind gjiri i një kombi. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar përvjetorin e Universitetit të Tetovës se sa duke nderuar prijësin e procesit të institucionalizimit ligjor dhe meritor të këtij tempulli të diturisë. Uroj Rektorin, Senatin, stafin akademik, studentët dhe të gjithë ata që sakrifikuan ndër dekada për ngritjen e kështjellës së dijes për nderimin e z. Ali Ahmeti me titullin e merituar Doctor Honoris Causa për arsye se duke nderuar atë, po i nderojmë të gjithë të merituarit” u shpreh Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë z. Artan Grubi.
Referatin qendror me arsyetimin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës z. Ali Ahmeti e lexoi Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së Doc. Dr. Shefik Shehu. Ai tha se laureati z. Ali Ahmeti është dalluar: për veprimtarinë shoqërore dhe politike në dobi të kauzës kombëtare; për kontributin e çmuar për liri e barazi kombëtare, drejtësi sociale, sundim të ligjit dhe të së drejtës; për shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane; për orientimin e drejtë historik, kombëtar e qytetërues drejt vlerave themeltare perëndimore, që ka qenë vizion i elitave tona përgjatë historisë kulturore e politike shqiptare; për promovimin e paqes në vend dhe rajon; për promovimin e shumëllojshmërisë etnike, kulturore, gjuhësore, religjioze dhe politike, si vlerë qytetëruese dhe pasuruese për shoqëritë e lira e demokratike; për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e kapaciteteve demokratike në vend e rajon. “Motivimi për ta shpallur doktor nderi të UT-së është nxitur nga respekti ynë, si institucion: për kontributin e tij të shquar për çështjen kombëtare; për lirinë e popullit të Kosovës; për avancimin e të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut; për angazhimin e vazhdueshëm në integrimin e vendit dhe rajonit në familjen euroatlantike; për institucionalizimin dhe modernizimin e Universitetit të Tetovës, si institucion publik i arsimit të lartë. Vlerësojmë se Universiteti i Tetovës përherë ka qenë njëra nga çështjet parësore në vizionin, angazhimin dhe diskursin e tij prej se vepron në skenën politike e publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut” nënvizoi mes tjerash Doc. Dr. Shefik Shehu.
Ndërsa vendimin e Senatit të UT-së për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa i UT-së z. Ali Ahmeti e lexoi Prorektori për Arsim i UT-së Prof. Dr. Reshat Qahili. Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti lauretarit z. Ali Ahmeti ia dhuroi diplomën me titullin Doctor Honoris Causa bashkë me flamurin dhe logon e madhe të UT-së si dhe portretin e themeluesit dhe rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Më pas laureati i çmimit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, veprimtari z. Ali Ahmeti u drejtua me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve në auditor. Ai tha se ky titull dhe ky nder që i bëhet personalitetit të tij u dedikohet të gjithë atyre njerëzve që kanë kontribuar në hapjen dhe ngritjen e këtij universiteti. “Ky nder dhe ky titull i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26-vjetorit të rënies së tij. I bëhet të gjithë ushtarëve, atdhetarëve dhe misionarëve, patriotëve mësuesve dhe pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar në terr e në fshehtësi për lirinë e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit e të kombit tonë. I dedikohet të gjithë rilindësve tanë sepse ata na mësuan “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpie”. Unë sot nuk përgatita ndonjë fjalim për zhvillimet e deritanishme, sepse mendova më mirë është që t’i kthej në kujtesë të gjithë këta njerëz që bënë për arsimin shqip. Të nderuar, unë erdha këtu për të bërë edhe një zotim para jush, para shqiptarëve, se do të vazhdoj pa u lodhur në ngritjen, avancimin e arsimit shqip, në rritjen e cilësisë së arsimit shqip, në rritjen e vlerave si dhe infrastrukturën e universiteteve, në pajisjen e tyre sepse jemi në shekull konkurrent dhe sot vetëm me konkurrencë të fuqishme mund të ecim përpara. Themelet i kemi ndërtuar, kalatë i kemi ndërtuar, por ama ato duhet t’i forcojmë, ato duhet t’i mirëmbajnë, sepse vetëm me dije, vetëm të përgatitur mirë mund të jemi konkurrent të denjë në të gjitha fushat. Unë zotohem që do të më keni të gjithë ju të fushës së arsimit, partnerë të fortë për të shtyrë përpara arsimin dhe të ngremë kuadro e kuadro që të na përshëndesin dhe të na kanë lakmi të gjithë. Fjalëve të bukura dhe patriotizmit pa mbulesë i ka ikur koha, sot duhet të punojmë, sot duhet të ndërtojmë. Veprat dhe punët tona flasin tani më së miri” – tha z. Ali Ahmeti.
Akademia për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve respektivisht artistët tanë z. Blerim Grubi, z. Kastriot Tusha dhe z. Bajramali Idrizi.