Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij, realizoi takim pune me Prof. Dr. Elena Jovanova-Grujovska – drejtoreshë e Institutit të Gjuhës Maqedonase “Krste Misirkov” – Shkup, në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” e cila ishte e shoqëruar nga koleget e saj. Gjatë takimit u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e pikave të parashtruara në memorandumin e bashkëpunimit, duke u fokusuar veçanërisht në projektet e përbashkëta kërkimore.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, tha se ky memorandum është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për avancimin e studimeve gjuhësore dhe kulturore, si dhe për krijimin e një baze të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e projekteve akademike dhe shkencore si dhe promovimin e maqedonistikës dhe albanologjisë si disiplina të rëndësishme brenda shkencave filologjike, me theks të veçantë të gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe si pjesë përbërëse të gjuhëve ballkanike. “Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për kuadrin akademik që ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetje për Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase të Fakultetit tonë. Kontributi i tyre ka qenë i një rëndësie të veçantë për rritjen dhe zhvillimin e kësaj katedreje, ku kuadri i tyre akademik ka mbajtur ligjërata dhe ka ndihmuar në formimin e kuadrove të rinj, jo vetëm të ciklit të pare të studimeve, por edhe në nivelin e studimeve master dhe doktoraturë. Besoj se ky bashkëpunim do të sjellë mundësi të reja për shkëmbime akademike, projekte të përbashkëta kërkimore dhe konferenca shkencore që do të forcojnë më tej lidhjet tona institucionale. Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ngritur cilësinë akademike dhe për të promovuar vlerat e diversitetit gjuhësor dhe kulturor.” – tha mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Pas takimit, tek Këndi i kujtesës së Rektorit të parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, u nënshkrua memorandumi, i cili synon forcimin e lidhjeve akademike dhe kërkimore ndërmjet dy institucioneve.Memorandumi parashikon një sërë aktivitetesh të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe arsimit në fushën e filologjisë. Ndër pikat kryesore të bashkëpunimit janë shkëmbimi i kuadrit hulumtues dhe akademik, organizimi i konferencave shkencore të përbashkëta, si dhe realizimi i projekteve kërkimore-shkencore.
Gjithashtu, marrëveshja përfshin shkëmbimin e botimeve të publikuara nga të dy institucionet, bashkëpunimin ndërmjet bibliotekave përkatëse dhe shkëmbimin e materialeve informative. Kjo iniciativë pritet të pasurohet me botimin e veprave të përbashkëta shkencore dhe akademike që do të kontribuojnë në zhvillimin e të dy institucioneve. Përveç këtyre, memorandumi parashikon organizimin dhe pjesëmarrjen në takime shkencore, konferenca dhe simpoziume, duke krijuar mundësi të reja për studiuesit e të dy institucioneve për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve akademike dhe shkencore, duke kontribuuar në avancimin e kërkimit në fushën e filologjisë dhe gjuhësisë në rajon.