//UT e shënoi Ditën Botërore të Veshkave

UT e shënoi Ditën Botërore të Veshkave

2019-03-16T14:30:13+00:00 Mars 15, 2019|
Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës u shënua Dita Botërore e Veshkave. Për nder të kësaj dite, grupi shkencor i këtij fakulteti, nën drejtimin e koordinatores, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti Ferati, organizoi disa ligjërata të shkurtra tematike nga emra eminentë të fushës së nefrologjisë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, këtë eveniment e vlerësoi si tejet të rëndësishëm duke shtuar se falë angazhimit të grupit shkencor, sot para studentëve dhe profesorëve trajtohen sëmundjet e veshkave nga eminencat e nefrologjisë shqiptare. Ai apeloi deri te studentët që në evenimente të këtilla ta kenë sa më aktiv sensin e kureshtjes gjatë prezantimeve, sepse përmes tyre mund të arrijnë të përfitojnë njohuri të reja dhe të avancohen sa më shumë në karrierën e tyre.
Zëvendësministri i shëndetësisë në vendin tonë, Dr. Asim Musa, tha se të gjitha institucionet shëndetësore në vendin tonë i kushtojnë rëndësi të veçantë kësaj dite, duke iu bashkuar iniciativës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shënimin e kësaj dite, ngase siç u shpreh ai, është e ditur botërisht se veshka është një organ shumë i rëndësishëm në organizmin e njeriut dhe se shumë sëmundje, qofshin ato akute apo kronike për një kohë të shkurtër apo ndër vite e sulmojnë funksionin e saj. Ai po ashtu apeloi deri te të gjithë qytetarët që sa më shumë të kenë kujdes ndaj këtyre sëmundjeve me qëllim parandalimin me kohë të kësaj sëmundjeje.
Këtë eveniment e përshëndetën me fjalë rasti nënkryetari i Dhomës së Mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Sci. Ylber Besimi dhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë, Prof. Dr. Nevzat Elezi.
Akademiku nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Nestor Tereska, para studentëve prezantoi ligjëratën e tij kushtuar historikut të zhvillimit të nefrologjisë, hemodializës dhe transplantimit të veshkave, kurse Prof. Dr. Ymer Elezi nga Republika e Kosovës, në prezantimin e tij, kryesisht u fokusua në menaxhimin e insuficiencës renale klinike. Ligjëratat u përmbyllën me prezantimin e Prof. Dr. Lutfi Zylbeharit, i cili para të pranishmëve e trajtoi temën “Rabdomioliza dhe insuficienca renale akute”.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre të dhënë në lëmin e mjekësisë e në veçanti atë të nefrologjisë, ish-Rektorit të Universitetit të Tiranës, Akademik Prof. Dr. Nestor Tereskës dhe Prof. Dr. Ymer Elezit u ndau nga një dhuratë me portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Zyra për Informim