Përgjegjësi i Zyrës për Arsim në Universitetin e Tetovës, Doc. Dr. Ibrahim Neziri, u shpreh se Universiteti i Tetovës edhe këtë vit, ka paraparë që ofertën akademike ta prezantojë para të gjithë maturantëve të vendit, me qëllim që maturantët për së afërmi të njihen me kushtet dhe mundësitë e shumta që i ofron Universiteti ynë për ta. “Ekipi promovues para maturantëve ka dhënë informata të detajuara për kushtet dhe mundësitë e studimeve që i ofron universiteti ynë, përfshirë këtu fakultetet, programet studimore, ciklet e studimeve, gjithashtu para tyre është folur edhe për aktivitetet që realizohen gjatë një viti akademik, si mbajtja e seminareve, simpoziumeve, debateve dhe konferencave shkencore. Rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe programeve ndërkombëtare për mbështetjen e arsimimit të të rinjve si Erasmus plus, Fulbright, Mevlana, e të tjera dhe gjithashtu është folur edhe për aktivitetet e lira studentore, të cilat organizohen nga Parlamenti Studentor. Maturantët u njoftuan edhe me mundësitë që Universiteti i Tetovës i ofron për studentët e dalluar, si dhënia e bursës universitare si dhe shumë mundësi tjera për përfitime të bursave si nga institucionet shtetërore po ashtu edhe nga fondacione të ndryshme nga vendi dhe jashtë” – tha Doc. Dr. Ibrahim Neziri.
Maturantët e Tetovës kanë shfaqur interesim të madh për ofertën akademike të UT-së, duke u interesuar rreth mënyrës së aplikimit për t’u regjistruar, dokumenteve që duhet dorëzuar, si dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me regjistrimin. Për maturantët, ekipi promovues i Universitetit të Tetovës ndau fletore me materiale promovuese të 13 fakulteteve dhe programeve studimore të këtyre fakulteteve. Oferta akademike, nesër më 4 prill do të promovohet para maturantëve të shkollave të mesme të qytetit të Shkupit dhe në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë.
Afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Tetovës për vitin akademik 2018/19 do të realizohet prej 14 – 17 gusht 2018.